Topalli në Nju Jork takon senatorin Xhon Mekein
Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, gjatë vizitës në Nju Jork zhvilloi një takim edhe me senatorin republikan, Xhon Mekein. Senatori Mekein, në mënyrë të veçantë falënderoi për kontributin e Shqipërisë me trupat paqeruajtëse në Afganistan. “Jam shumë i kënaqur që Shqipëria, tashmë anëtare e NATO-s, po progreson edhe në rrugën drejt BE-së. Ju duhet të jeni krenarë për arritjet tuaja”, - është shprehur ish-kandidati për postin e Presidentit të SHBA-ve, Mekein. Më tej ai theksoi në këtë takim me kryeparlamentaren shqiptare se lidhjet mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara janë të forta dhe se ai shpreson që të vazhdojmë rrugën bashkë si partnerë. Kryetarja e Kuvendit dhe senatori Mekein biseduan më tej edhe për ritmet e zhvillimit ekonomik, si dhe mbi zhvillimet e fundit në Shqipëri e rajon. Gjatë qëndrimit në SHBA Topalli është takuar edhe me kongresistin amerikan Xhim Moran. Gjatë këtij takimi u bisedua për rëndësinë e partneritetit në NATO, si edhe mbi përpjekjet për anëtarësimin e Shqipërisë në BE. Kongresisti Moran tha se Shqipëria ka bërë një progres të mrekullueshëm, ndërsa theksoi se shpreson që së shpejti Shqipëria të bëhet anëtare e BE-së dhe kjo gjë do të ketë impakt edhe për vendet e tjera aspiruese. Ai vlerësoi në mënyrë të veçantë luftën e qeverisë ndaj korrupsionit duke thënë se rezultatet e kësaj lufte ishin përcaktuese në votën e shqiptarëve në zgjedhje. Kongresisti Moran tha se “unë besoj në suksesin e mëtejshëm të Shqipërisë dhe tuajin personal”. Ai tha se “në Shqipëri gjithçka ka ndryshuar rrënjësisht falë edhe lidershipit të politikanëve si ju që inspironi brezat”. Kryetarja e Kuvendit tha se shqiptarët janë një ndër popujt më proamerikanë dhe për Shqipërinë, suporti dhe aleanca e Shteteve të Bashkuara ka qenë shumë e rëndësishme për anëtarësimin në NATO e, po ashtu, edhe për pavarësinë e Kosovës. Edhe kongresisti Eliot Engel, gjatë takimit me kryetaren e Kuvendit, vlerësoi reformat e bëra nga qeveria e Shqipërisë si reforma që janë përkthyer në progres. Ai shprehu kënaqësinë se Shqipëria tashmë është aleate në Aleancën e kombeve të Atlantikut të Veriut, ndërsa përgëzoi për progresin e Shqipërisë në rrugën e anëtarësimit në BE.
20 Nentor 2009