E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: Protesta e Ramës, si qeveria e Komunës së Parisit



Tani është koha e idealeve evropiane dhe jo e gavroshëve dhe Komunës së Parisit, prej dy shekujsh e arkivuar në historinë botërore. Në mbledhjen e qeverisë, Kryeministri Berisha, i cili ftoi sërish PS-në për bashkëpunim, ironizoi protestën e pritshme të opozitës në fundjavë, duke e krahasuar atë me qeverinë e Komunës së Parisit gjatë Revolucionit Francez, e cila refuzonte autoritetin e qeverise qendrore të Francës dy shekuj më parë. Kundrejt kësaj, Berisha akuzoi kreun e PS-së, Edi Rama, se po tenton të nxijë vendimin e rëndësishëm historik të Brukselit që i hapi rrugën anëtarësimit të Shqipërisë në BE, kjo, sipas tij, në vend që t’i bashkëngjitet gëzimit të shqiptarëve. “Edhe një herë gjej rastin të ftoj opozitën për bashkëpunim. T’i lerë praktikat që i ka gjetur vetë si pemë pa kokrra. Në vend që të festojmë, shpërndajnë trakte te Komuna e Parisit. Komuna e Parisit është arkivuar në histori, me gavroshët. Tani është koha e idealeve evropiane, që i dëshiron çdo qytetar shqiptar”, - theksoi z. Berisha. Para anëtarëve të kabinetit qeveritar, Kryeministri Berisha kërkoi nga z. Rama që t’i lërë praktikat e bojkotit dhe të kthehet në Kuvend. Gjatë fjalës së tij, kreu i qeverisë vuri në dukje se opozita duhet të luajë një rol pozitiv dhe jo të nxijë vendimin historik të BE-së, duke protestuar ashtu si veproi më 4 prill kur Shqipëria u anëtarësua në NATO. “Po më kujton mitingun e datës 4 prill, kur vendi anëtarësohej në NATO, bënte miting proteste. Tani në vend që të festojmë, siç e ftova të dalim së bashku ta përshëndesim këtë akt, shpërndan trakte te Komuna e Parisit", - u shpreh z. Sali Berisha. Disa prej banorëve të Komunës së Parisit në Tiranë kanë marrë ftesat personalisht nga kreu i Partisë Socialiste, Edi Rama, për në protestën e 20 nëntorit para Kryeministrisë, që do të zgjasë 3 ditë, nga e premtja deri të dielën, një protestë kjo e paprecedent në vendin tonë. Tashmë janë bërë gati çadrat nën të cilat protestuesit do të qëndrojnë përballë selisë së Kryeministrisë. Çdo deputet socialist i Tiranës apo i qyteteve të tjera është angazhuar këto ditë për të bindur mbështetës të socialistëve të qëndrojnë në këtë protestë. Vetë deputetët socialistë mësohet se do të qëndrojnë me radhë në 3 ditët e protestës.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›