E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kumar, Topallit: Do të vij të shoh vendlindjen e Nënë Terezës



Kryetarja e Kuvendit të Indisë, Meira Kumar, i premtoi Jozefina Topallit se do të vizitojë Tiranën zyrtare për t’u njohur më nga afër me vendin e origjinës së Nënë Terezës. Këtë premtim ka marrë nga homologia e saj indiane kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, gjatë vizitës në Nju Jork, në asamblenë parlamentare. Gjatë konferencës së Nju Jorkut, Topalli shfrytëzoi rastin për të bërë një bisedë me kryetaren e Parlamentit të Indisë, Meira Kumar, për të diskutuar për Shqipërinë, Kosovën dhe rajonin. Ajo e ftoi zonjën Kumar për të bërë një vizitë në Shqipëri. Pas vendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes dy vendeve, ky ishte takimi i parë i dy kryetarëve të parlamenteve respektive. Kryetarja e Parlamentit të Indisë i premtoi kryetares së Kuvendit se do të vinte për të vizituar Shqipërinë, për të njohur vendin e origjinës së Nënë Terezës. Ky është takimi i parë i zyrtarëve mes dy vendeve pas debatit për eshtrat e Nënë Terezës dhe faktit se ku duhet të prehet humanistja e njohur.

Topalli pati takime edhe me homologë të tjerë. Ajo uroi kryetarin e ri të sapozgjedhur të Parlamentit të Indonezisë, Marzuki Alie, dhe diskutoi me të për zhvillimet në rajon, duke u ndalur te Kosova dhe shprehu dëshirën për të pasur shkëmbime të vizitave të delegacioneve parlamentare me Indonezinë. Kryetari i Bundestagut gjerman, Norbert Lammert, ftoi Topallin për një vizitë zyrtare në Gjermani. Kryetarja e Kuvendit shfrytëzoi rastin për të falënderuar Gjermaninë, Bundestagun dhe qeverinë gjermane për mbështetjen që i kanë dhënë Shqipërisë në përpjekjet dhe proceset e saj integruese. Topalli zhvilloi një takim edhe me kryetaren e Parlamentit të Austrisë, Barbara Prammer, e cila pritet të vizitojë Shqipërinë në vitin e ardhshëm. Kryetarja e Kuvendit u takua gjithashtu me përfaqësuesin e lartë të Kinës, Afrikës të Jugut dhe Presidentin e IPU-së si dhe me zëvendëssekretaren e Përgjithshme e OKB-së, Asha Rose Migiro, ku u diskutua për përpjekjet që Shqipëria po bën për mbrojtjen e të drejtave të grave. Për sa i përket çështjes së Kosovës, Topalli zhvilloi një takim edhe me numrin dy të Misionit Amerikan në Kombet e Bashkuara, Rose Marie Dicarlo, ku u bisedua për Kosovën, progresin që ka arritur ky vend, përpjekjet për të rritur numrin e vendeve që njohin shtetin më të ri të botës.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›