E Shtunë, 31 Tetor 2026

Buxheti 2010-2012, qeveria plotëson detyrimet e BE-së



Një projektbuxhet ambicioz dhe që ka si prioritet kryesor përmbushjen e detyrimeve për anëtarësimin e vendit në Bashkimin Evropian, pas miratimit të hënën të aplikimit të Shqipërisë për anëtarësim. Ky është projektbuxheti afatmesëm deri në vitin 2012, i cili u miratua dje në mbledhjen e Këshillit të Ministrave. Kryeministri Sali Berisha prezantoi dje programin buxhetor afatmesëm 2010-2012, të cilin e vlerësoi si buxhetin e formësimit përfundimtar të shëmbëlltyrës evropiane të Shqipërisë. Z. Berisha garantoi se buxheti do të mbështesë fuqishëm çdo kërkesë që rrjedh nga procesi i anëtarësimit në BE. Sipas tij, do të trupëzohet në një, me të gjitha llojet e detyrimeve nga ky proces. Ai vuri në dukje se ambicia e qeverisë është e madhe. “Të parakalojmë disa vende të BE-së gjatë këtij mandati, se tjetri, me sa duket, do të jetë i anëtarësimit përfundimtar. Vendimi dëshmon se qeveritë e vendeve anëtare kanë besim të plotë te kjo qeveri”, - u shpreh Berisha. Projektbuxheti afatmesëm ka disa prioritete kryesore, që përveç rritjes së mëtejshme të pagave dhe pensioneve dhe uljen e deficitit buxhetor me 3 për qind, sa niveli i vendeve anëtare të BE-së, synon përfundimin e disa projekteve të mëdha infrastrukturore, Rrugën e Arbrit dhe autostradën Tiranë - Elbasan. Dy projekte ku parashikohen tunele mbi 3 kilometra dhe financimi i të cilave, sipas Kryeministrit Berisha, është i garantuar. Në këtë mënyrë qeveria shqiptare do të ndërhyjë edhe një herë në projektbuxhetin e vitit 2010, pasi ka arritur të sigurojë fondet e nevojshme për ndërtimin e tunelit të rrugës Tiranë - Elbasan. Kryeministri Sali Berisha, i cili i ka mëshuar shumë kësaj vepre të rëndësishme publike, tha se brenda dy muajve do të përfundojë edhe projekti i cili automatikisht do t’i hapë rrugën ndërtimit të saj. "Ne do ta bëjmë tunelin. Përfundon projekti brenda dy muajve nga një nga kompanitë më serioze të kontraktuara nga KE-ja, ndërkohë do t’ju informoj se janë bërë përpjekje shumë serioze për financimet dhe është bërë në rrugë të mbarë. Janë garantuar plotësisht paratë e tunelit, madje z. ministër i Financave, do detyrohemi të modifikojmë këtë buxhet se akoma nuk janë trupëzuar në të. Natyrisht, kjo rrugë, kjo autostradë që i shërben gjithë jugut dhe juglindjes së Shqipërisë do të përfundojë brenda këtij mandati", - tha Kryeministri Sali Berisha. Ai vuri në dukje se gjatë prezantimit të buxhetit afatmesëm 2010-2012 qeveria do të vijojë rrugën e rritjes së rrogave dhe pensioneve, ndërsa për sa u përket politikave makroekonomike, shefi i qeverise theksoi se do të synohet ulja e borxhit publik dhe e deficitit buxhetor në nivelin 3 për qind. “Buxheti është buxheti i rritjes së rrogave dhe pensioneve, i një politike konstante të kësaj qeverie në dy qëllime kryesore, së pari, investimi më absolut është investimi në burimet njerëzore. Ne duhet të bëjmë çdo gjë, të përpiqemi të dëshmojmë se dëshirojmë të paguajmë sa më mirë administratën shqiptare, sigurisht brenda mundësive. Së dyti, ne duhet të bëjmë çdo gjë që të kujdesemi për pensionistët shqiptarë, pasi janë më të vuajturit e të vuajturve në të gjithë Evropën”, - u shpreh z. Berisha.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›