Ruçi në Fier hedh idenë e protestave të dhunshme
Tri ditë e tri net do të flenë para Kryeministrisë deputetët e PS-së, por ky s’duket se do të jetë fundi i tubimeve të socialistëve, pasi nën zë po flitet për protesta të tjera, ku nuk përjashtohet përdorimi i dhunës. Për herë të parë për këtë është folur hapur në një takim partie në Fier, ku kryesuesi i listës së deputetëve të këtij qarku, Gramoz Ruçi, dhe kolegu i tij, Armando Subashi, kanë përmendur fjalën dhunë, duke ftuar socialistët që t’i ndjekin pas në këtë sipërmarrje. Burime nga takimi i partisë në Fier, ku arsyeja e mbledhjes ka qenë përgatitja për protestën e 20 nëntorit në Tiranë, por Ruçi dhe ish-anëtari i KLD-së, Subashi, kanë thënë se pas 3 ditëve të qëndrimit në çadra, do të marrë një kthesë tjetër aksioni i PS-së, ku nuk do të përjashtohet dhuna. Ata nuk kanë sqaruar se çfarë nënkuptojnë me këtë fjalë, por një deklaratë e tillë ngre dyshime të forta për rrugën që do të marrë kjo parti, duke pasur parasysh fraza të tilla të thëna nga goja e Gramoz Ruçit. Edhe deputetë të tjerë pranojnë se është diskutuar që protestat të marrin një rrugë tjetër pas ditëve të qëndrimit në çadra në trotuaret para Kryeministrisë. Megjithëse kjo gjë nuk është diskutuar dhe aq më pak të merret vendim në forumet e partisë, duket se arkitektët e bojkotit dhe të protestave kanë në mendje përshkallëzim të qëndrimit të opozitës, duke e kaluar atë në një qëndrim force. Këta skenarë duken krejt të papërshtatshëm dhe në kundërshtim me të gjitha qëndrimet që po vijnë nga ndërkombëtarët, që jo vetëm nuk i kanë miratuar bojkotin e Parlamentit dhe protestat e vazhdueshme, por po i kërkojnë opozitës që ta gjejë gjuhën e dialogut në Kuvend.
Edi Rama, kryetar i PS-së, ditët e fundit e ka radikalizuar gjuhën në takimet në rrethe, duke përmendur disa herë togfjalëshin “do të protestojmë me forcë” dhe ka kërkuar rrëzimin e qeverisë, duke tejkaluar kërkesën për hetim të zgjedhjeve dhe hapje të kutive. Ndërsa dje, Rama doli nëpër rrugë, duke ftuar njerëzit personalisht që të shkojnë në tubimin e datës 20 nëntor. Ai u shpërndante atyre disa fletushka, të cilat Kryeministri Berisha i cilësoi trakte. Këtë fushatë në rrugë Rama, i cili mban dhe postin e kryebashkiakut të kryeqytetit, e bëri në lagjen Komuna e Parisit, një nga lagjet e ndërtuara pas ardhjes së tij në pushtet dhe që ka mangësi të mëdha infrastrukturore, si: rrugë, parqe, kanalizime etj. Duke iu referuar deklaratave të Kryeministrit Berisha, kreu i selisë rozë e ka cilësuar “të turpshëm qëndrimin për mohimin e kontributit të socialistëve në procesin e anëtarësimit në NATO”.