Berisha: Pse e operova këmbën
Erald Kapri
Kryeministri Sali Berisha tha dje se ka kryer një operacion në këmbën e djathtë, por në të njëjtën kohë lëshoi akuza ndaj kreut të opozitës pasi, sipas tij, abuzoi me këtë operacion. Në mbledhjen e përjavshme me deputetët e djathtë, Berisha tha se ditën e premte zhvilloi një operacion në këmbë, por që sipas tij, kjo nuk ndikoi në punën e tij. “ç’është e vërteta, ditën e premte, në orë 20:15 iu nënshtrova një ndërhyrjeje të planifikuar kirurgjikale, për një problem të vogël në shpinën e këmbës, i cili më vështirësonte pak në ecjet e mia “hardwalking”,(ecje në natyrë) të zakonshme, por që ecja është pasioni im. Pas një operacioni që ka zgjatur rreth 1 orë e 15 minuta, me një anestezi të përgjithshme, pasi e kuptoni vetë se këmba dhe dora kanë shumë mbaresa nervore, unë shkova në shtëpi, pa asnjë lloj ndërlikimi. Dje dhe sot, kam përmbushur të gjitha detyrimet e mia, përveç ecjes së zgjatur si në çdo weekend tjetër, kam punuar dhe kam lexuar”, tha Berisha. Kreu i maxhorancës akuzoi më tej kreun e opozitës, duke thënë se Edi Rama me anë të medias tentoi që të ndërtojë një histori jo të vërtetë me shëndetin e tij. “Dua të falënderoj edhe mediat me shumë respekt, të cilat dje ishin subjekt i një agresioni të paparë mesazhesh dhe trillimesh të një njeriu, i cili është i njohur se vuan tmerrësisht nga mesazhomania, lidhur me operacionin tim. Disa prej atyre mesazheve i kam unë këtu, se m’i kanë nisur gazetarët. Një njeri që e ndërton suksesin vetëm mbi krizën, sëmundjen, fatkeqësinë, imagjinoni ju se ç’mund të bëjë, dje gjithë ditën është marrë me një histori të tillë”, tha më tej Berisha.
Por përpara deputetëve të djathtë, Berisha iu drejtua direkt kreut të opozitës, duke thënë se Rama ka kryer operacione për estetikë. “Nuk mund të mos them se janë disa operacione, të cilat kanë një domethënie tjetër, kur detyrohesh t’i bësh ato 30 apo 40 vjet para kohe, flasin vetë. Se shkon të transplantosh flokët, rri edhe dy javë në klinikë dhe nuk të mbin një qime dhe kjo jo për faj të rasatit, por për faj të arës; apo kur shkon për të hequr xhufkat në qepalla dhe të bien sytë më keq; apo kur shkon për të ngulur dhëmbë të rinj dhe nuk të mbajnë. Më kujton një personazh rreth 40-50-vjeçar i Dritëro Agollit, që shkonte për t’u fejuar dhe i thoshte e ëma: Merr një shami pionieri që të dukesh më i ri te nusja” - tha Berisha. Duke përmendur më tej se nuk dëshiron të përdorë mjekësinë për politikë, kreu i opozitës shtoi se “unë dua t’i them mos i helmo me ato mesazhe celularët e gazetarëve, sepse siç e vutë re, vetëm njëri e kishte besuar, se ka besim të verbër, nuk kam ç’t’i bëj, ku thoshte se edhe kamerat nuk e marrin, se ka bërë një operacion në fytyrë. Po si nuk merrkan kamerat? Kamerat marrin edhe flokë që nuk mbijnë, edhe dhëmbë që vihen 40 vjet para kohe etj, etj, me radhë”. Me deputetët e djathtë, kreu i Qeverisë foli edhe për pyetësorin e BE-së, duke informuar se do të miratohej i plotë. “Jashtë zhurmës së kutive, vendi ka njohur reformat më të fuqishme, më të shpejta, më të vendosura se në çdo periudhë tjetër të tij, reforma të cilat kanë sjellë dhe sjellin transformime epokale. Po të marrim vetëm ato që janë bërë gjatë këtyre muajve për heqjen e vizave, ato kanë realizuar ndryshime në shumë fusha, si nata me ditën”, tha Berisha. Ai shtoi se në këtë proces prej 3 muajsh e gjysmë, janë angazhuar 1200 punonjës administrate, si dhe ekspertë të huaj.