E Diel, 1 Nëntor 2026

PS-PD, betejë për sheshin e mitingjeve



Aristir Lumezi & Erald Kapri

Maxhoranca e opozita kanë zhvendosur betejën e tyre në “pushtimin” e she-sheve për mitingjet e lajmëruara. Nisja e punimeve për rikonstruksionin e sheshit “Skënderbej”, një ditë pasi maxhoranca lajmëroi se do të organizonte një miting të madh festiv për sukseset e saj më 1 Maj, ka rritur tensionin mes palëve. Opozita ka lajmëruar dhe ka nisur përgatitjet për mitingun e protestës, që do të zhvillojë më 30 prill para Kryeministrisë në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”. Por mbyllja e sheshit “Skënderbej” rrezikon t’i sjellë më 1 maj shumë pranë mbështetësit e djathtë dhe të majtë, pasi festa e PD do të organizohet dhe do të zhvillohet në të njëjtin bulevard. Kjo pritet të ndezë tensionet, pasi socialistët do të nisin protestën e tyre për ta vazhduar të paktën për 3 ditë përpara Kryeministrisë. Në mbledhjen e fundit të Asamblesë Kombëtare, një nga diskutimet e anëtarëve, i cili është shumë pranë kryetarit socialist, kërkonte pikërisht këtë; “protestë me ditë të tëra pa afat, deri në plotësimin e kërkesës së opozitës për transparencën e zgjedhjeve. Vetëm atëherë protestuesit do të largohen nga bulevardi ‘Dëshmorët e Kombit’”. Kësaj skeme pritet t’i përgjigjet edhe PD, e cila do ta kthejë 1 Majin, pra një ditë pas nisjes së protestës së opozitës, në një festë që kërkon ta shtrijë në të gjithë bulevardin kryesor të kryeqytetit, duke mbetur e vetmja hapësirë e përmasave të mëdha për të mbledhur njerëzit. Ndërkaq opozita ka ditë që ka nisur përgatitjet e saj në të gjithë vendin, për të ndezur frymën e protestës. Prej më shumë se 10 ditësh, deputetët e saj kanë “matur pulsin” e strukturave dhe mbështetësve të tyre rreth protestës së madhe. Edhe pse nuk ka përpunuar një kalendar të protestave, që pritet të nisin që këtë javë në qytete të ndryshme të vendit, mësohet se në nivel lokal, protestat do të përqendrohet në problematikën specifike që çdo rreth apo qark, pa harruar dhe çështjen e kutive.
Maxhoranca
Maxhoranca do të nisë më herë nga festimet, që në datën 2 prill, javën e ardhshme. Me rastin e 1-vjetorit të hyrjes së Shqipërisë në NATO, nën kujdesin e veçantë të Kryeministrit Berisha, do të zhvillohet një koncert festiv. Ministria e Mbrojtjes ka nisur tashmë përgatitjet për këtë koncert, për të cilin tashmë janë bërë lajmërimet në mediat elektronike. Mësohet se koncerti do cilësohet si unik në llojin e vet, pasi në të do të performojë banda e ushtrisë me 50 vegla frymorë. Koncerti festiv do të zhvillohet pasditen e datës 2 prill dhe në të do të flasë para qytetarëve Kryeministri Berisha. Koncerti do të zhvillohet para Pallatit të Kongreseve, në ambientin jashtë. Ashtu siç është bërë e ditur nga maxhoranca, në datën 1 maj do të zhvillohet një tubim nga qeveria e djathtë, vetëm 1 ditë larg protestës së paralajmëruar të opozitës. Fillimisht kreu i grupit Parlamentar të PD-së, Astrit Patozi, e më pas dje në mbledhjen e grupit të PD-së, kreu i Qeverisë Sali Berisha ka bërë të ditur se në datën 1 maj do të mbahen festime. Në mbledhjen me dyer të mbyllura me deputetët e djathtë, Berisha i ka dhënë porosi Ministrisë së Kulturës që të nisë përgatitjet për këtë ditë. Kreu i maxhorancës ka kërkuar që festimet të jetë madhështore, për të kremtuar, sipas tij, reformat e Qeverisë për integrimin në këto vite.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›