E Diel, 1 Nëntor 2026

Zgjedhjet vendore në Itali, më shumë komuna votuan majtas



Qendrat e votimit janë mbyllur dje në Itali me rezultatin 7 me 4 në favor të qendrës së majtë dhe 2 balotazhe në 13 rajonet ku u votua. Qendra e djathtë e Kryeministrit, Silvio Berluskoni fitoi në Lombardi, Veneto, Kampanja dhe Kalabri. Ndërsa Qendra e majtë konfirmohet fituese në Emilia Romanja, Toskanë, Marke, Liguria, Umbria, Pulja dhe Bazilikata. Paraprakisht ka balotazh në Lazio dhe në Piemonte. Sipas rezultateve të projektuara nga “Pragma Emg” dhe të transmetuara në televizionin shtetëror “Rai” rezultati është kompleks dhe deri tani 7 me 4 në favor që qendrës së majtë. Por para zgjedhjeve, komunat në favor të së majtës ishin 11. Qendra e djathtë ka marrë nga zgjedhjet e kaluara rajonale Kampanjën dhe Kalabrinë. Shumë votues italianë nuk janë paraqitur dje dhe të dielën në qendrat e votimit, duke e kërcënuar kështu Kryeministrin Berluskoni dhe koalicionin e tij me një rezultat të ulët. Më shumë se 41 milionë njerëz me të drejtë vote në Itali duhej të zgjidhnin guvernatorët e 13 nga 20 rajonet e Italisë, si dhe kryetarët e katër provincave dhe 500 qyteteve. Votimi u konsiderua test për mbështetjen e qeverisjes së Kryeministrit Berluskoni, dy vjet pas marrjes së mandatit të tij të tretë. Sipas të dhënave, pjesëmarrja ishte 64.7 për qind, rreth 8 për qind më pak se zgjedhjet e kaluara rajonale të vitit 2005, si dhe pjesëmarrja më e ulët gjatë 15 viteve të fundit në Itali.
Pakënaqësi
Në një sondazh të fundit, vetëm 38 për qind ishin të kënaqur me koalicionin e Berluskonit, partinë e qendrës së djathtë, Partia e Popullit për Liri dhe anti-emigrantët e Legës veriore. Popullariteti i vetë kryeministrit Berluskoni ka rënë në 44 për qind, nga 62 për qind që ishte në tetor 2008. Imazhi i tij publik është dëmtuar nga çështjet e tij personale, përfshirë divorcin dhe skandalet e prostitutave, si dhe betejat e tij ligjore për të evituar gjykimin mbi akuzat e korrupsionit. Aktualisht ai po gjykohet për mbylljen e “talk show” televizive që e kritikonin atë. Votuesit kanë qenë të pakënaqur, edhe për shkak të rritjes së papunësisë dhe vështirësisë së gjendjes ekonomike të shkallë vendi.
Parregullsi
Sipas “Corriere della sera”, të paktën pesë votues janë denoncuar në pjesë të ndryshme të Italisë sepse janë kapur duke fotografuar skedat e tyre elektorale. Rastet janë regjistruar në Termoli, Manfredonia, (Foggia), Albano (Castelli Romani), Cimitile, (Napoletano). Të gjithë janë denoncuar nga komisionerët. Në Napoletano gjashtë persona të tjerë janë arrestuar pasi kanë nisur një sherr përpara qendrës së votimit, nisur nga akuzat për shkëmbim vote. Kundër parregullsive në Itali, partia “Italia dei Valori” ka nisur një iniciativë “Sos Voto pulito” (SOS vota e pastër) duke i ftuar qytetarët të bëhen vëzhgues së rregullsisë së votës. Në numrin e gjelbër të vendosur mbi ankesat për zgjedhjet kanë mbërritur deri dje mbi tre mijë telefonata, ku denoncohej vota në këmbim të parave, vendeve të punës, rimbushje celulari. Si denoncimet në Shqipëri, edhe në vendin fqinj ka pasur raste të kërcënimeve për pushim nga puna; propaganda gjatë heshtjes elektorale; mungesa të pajustifikuara të presidentëve të komisionerëve apo komponentë të tjerë të komisionit; mungesë materialesh votimi (sidomos lapsa kopjativ, të zëvendësuar nga ata normalë); mungesë e kontrolleve (nuk kërkoheshin dokumente identiteti); prania e më shumë se një personi në kabinë e votimit.

13 rajonet

Piemonte
Qendra e djathtë (Lega Nord-Roberto Cota) 46,9%.
Qendra e majtë (Mercedes Bresso) 47,7%.

Lacio
Qendra e djathtë (Renata Polverini) 49,8%
Qendra e majtë (Emma Bonino) 49,6%

Lombardi
Qendra e djathtë (Roberto Formigoni) 56%
Qendra e majtë (Filippo Penati) 32-33%

Veneto
Lega Nord (qendra e djathtë-Luca Zaia 60%
qendra e majtë (Giuseppe Bortolussi) 28%

Liguria
Qendra e djathtë (Sandro Biasotti) 47%
Qendra e majtë (Claudio Burlando) 52%

Emilia Romanja
Qendra e djathtë (Anna Maria Bernini) 37-38%
Qendra e majtë (Vasco Errani) 50-51%

Toskana
Qendra e djathtë (Monica Faenzi) 34%
Qendra e majtë (Enrico Rossi) 59%

Marke
Qendra e djathtë (Erminio Marinelli) 40%
Qendra e majtë (Gian Mario Spacca) 52%

Umbria
Qendra e djathtë (Fiammetta Modena) 38-39%
Qendra e majtë (Catiuscia Marini) 55%

Kampanja
Qendra e djathtë (Stefano Caldoro) 57%
Qendra e majtë (Vincenzo De Luca) 39%

Pulja
Qendra e djathtë (Rocco Palese) 44%
Qendra e majtë (Nichi Vendola) 47%

Kalabri
Qendra e djathtë (Giuseppe Scopelliti) 58%
Qendra e majtë (Agazio Loiero) 31,5%

Bazilikata
Qendra e djathtë (Nicola Pagliuca) 29%
Qendra e majtë (Vito De Filippo) 58%

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›