E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjyqi për shpifje, Aneta Rama refuzon pajtimin me Berishën



TIRANE - Aneta Rama, nëna e kryesocialistit Edi Rama, refuzoi dje në Gjykatën e Lartë të pajtohej me kryeministrin Sali Berisha, të cilin e akuzon për shpifje dhe cenim të dinjitetit. Refuzimi i Ramës iu paraqit gjykatës nëpërmjet njërit prej avokatëve të saj, Arjan Salati, i cili pretendoi para kolegjit penal pesëanëtarësh se, paditësja i qëndronte kërkesës për gjykimin e Berishës, pasi i padituri në cilësinë e kryeministrit të Shqipërisë dhe deputetit të Kuvendit në seancën parlamentare të 26 nëntorit të vitit të kaluar, ka shpifur ndaj paditëses, duke cenuar dinjitetin e saj. “I qëndrojmë kërkesëpadisë për gjykimin e të paditurit Sali Berisha, i cili në seancën parlamentare të datës 26 nëntor 2009, në cilësinë e kryeministrit të vendit dhe deputetit të Kuvendit, në mënyrë të papritur ka shpifur ndaj klientes sonë. Nuk janë aspak të vërteta deklaratat e kryeministrit që paditësja Aneta Rama ka kuruar djalin e saj për 10 vjet për skizofreni. Nuk është i vërtetë as pohimi tjetër i Berishës se, Edi Rama ka nxjerrë natën në pazar të ëmën me rroba gjumi”, pohoi në seancë avokati Salati, i cili shtoi se pala paditëse nuk pranonte kompromis për zgjidhjen e çështjes, pasi sipas tij, këto shpifje ishin bërë për diskreditimin e të paditurës. Pas kësaj, edhe avokatja e kryeministrit, Erinda Ballanca, pohoi se në këto kushte s’kishte asgjë për të shtuar dhe se prapësimet për kërkesëpadinë do i paraqiste në seancën e radhës së procesit, e cila u caktua nga gjykata të zhvillohej mesditën e datës 12 prill. Pas përfundimit të seancës gjyqësore, asnjë prej palëve nuk pranoi të prononcohej për mediat. Ndërkohë, që gjatë saj, gjykata verifikoi legjitimitetin e palëve, duke pohuar se paditësja Aneta Rama, e vitlindjes 1938, lindur në Vlorë dhe banuese në Tiranë, kishte pajisur me prokurë më datë 14 dhjetor të vitit të kaluar dy avokatët, Arjan Salati dhe Eno Bushi, për ta përfaqësuar në gjykim. Ndërsa, kryeministri Berisha kishte pajisur me prokurë avokaten Erinda Ballanca më datë 16 mars 2010. Ndërkohë që trupi gjykues që do shqyrtonte këtë çështje kryesohej nga gjyqtarja Evjeni Sinoimeri dhe kishte anëtarë gjyqtarët Irma Bala, Andi çeliku, Adrian Dvorani dhe Ardian Nuni. Në fakt, seanca e parë e këtij procesi ishte caktuar të zhvillohej mesditën e 15 marsit, por që gjykata njoftoi palët se procesi do shtyhej për dy javë më vonë, duke bërë që të mos paraqitej asnjë prej tyre. Ende nuk dihet se cila ishte arsyeja e shtyrjes së gjyqit, por është fakt që atë ditë nuk u zhvillua asnjë seancë në Gjykatën e Lartë. Ndërkohë pas procesit, avokatët e palës paditëse pohuan dje se bashkë me kërkesëpadinë kanë dorëzuar në gjykatë edhe një CD me audio dhe video të fjalës së kryeministrit në parlament, e cila sipas tyre, është fakti që provon se kryeministri është shprehur për të diskredituar paditësen. Tashmë i mbetet gjykatës për të vlerësuar, nëse pretendimet e nënës së kryesocialistit janë të vërteta dhe të bazuara në prova dhe ligj. f.m

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›