Berisha: Pse po qeveris me kundërshtarët e mi
I prirë për të bashkëpunuar në ekip dhe për të qëndruar larg inateve, Kryeministri Sali Berisha ka bindjen e plotë se vetëm në këtë mënyrë mund të qeverisë gjatë dhe me efikasitet shqiptarët. I vendosur përballë një paneli të gjerë gazetarësh, mbrëmë në emisionin “Opinion”, Kryeministri Sali Berisha shënjoi “shinat”, mbi të cilat do të ecë përgjatë 4 viteve të ardhshme qeveria e koalicionit të djathtë. Para medias, Berisha argumentoi aleancën e re me LSI-në, dikur kundërshtarë të fortë, duke garantuar suksesin e qeverisë 2009-2013. Për këtë ai përmendi se në rast se nuk bënte koalicion me Ilir Metën, ishte i gatshëm të qeveriste edhe me PS-në e Edi Ramës. Por, sqaroi Kryeministri, vendin nuk mund ta linte pa opozitë, ndërsa zgjodhi koalicionin me z. Meta dhe LSI-në. “Z. Meta ka disa vite në LSI dhe në opozitë. U ka rezistuar presioneve më të fuqishme. Edhe të PS-së, por edhe të partive të tjera. Është një forcë e konsoliduar. Marrëveshja është marrëveshje dhe do të zbatosh atë pikërisht mbi bazën e marrëveshjes. Por, nëse më refuzonte Meta, koalicionin do ta bëja me gjysmën tjetër të opozitës, atë me PS-në”, - deklaroi z. Berisha. Sipas tij, ky koalicion përbën një risi pozitive në rrafshin politik dhe social. “Me z. Meta ramë dakord që qeveria të vazhdonte punën. Nëse ne përflitnim emra, demoralizonim administratën”, - u shpreh Kryeministri Sali Berisha. Duke u ndalur në ndryshimet që i bëri qeverisë së re, Berisha vuri në dukje se ministrat që u larguan, nuk u larguan për mossukses. Në këtë rast, Berisha përmendi se çdo deputet ka të drejtë të mendojë se do të bëhet ministër. “Në këtë kabinet, bazë ka qenë merita. Në përzgjedhjen e këtij kabineti kam pasur vështirësi, sepse më 28 qershor, fatmirësisht, unë kam realizuar një qëllim të madh. Kam pasur një qëllim për të pasur njerëz sa më të shquar dhe sot ka personalitete më shumë se asnjëherë tjetër. Për këtë vendi ka pasur nevojë të madhe”, - theksoi z. Berisha. Kreu i qeverisë u ndal edhe tek procesi i liberalizimit të vizave, duke pohuar se Shqipëria gëzon mbështetjen e BE-së për heqjen e vizave në kohën sa më të shpejtë. “Ne nuk na mungon mbështetja. Shpresat janë të plota. Ky është një proces në rrugë të mbarë dhe do ta përmbush premtimin se brenda gjysmës së parë të vitit të ardhshëm, shqiptarët do të lëvizin lirisht drejt zonës “Shengen””, - deklaroi z. Berisha. Kryeministri bëri të qartë mbrëmë në “Opinion” se nuk ka shtuar portofolat ministrorë. Ai sqaroi se posti i zëvendëskryeministrit është trupëzuar me atë të ministrit të Punëve të Jashtme, ndërkohë që është shtuar një ministër Shteti. Berisha foli edhe për objektivat e reja të qeverisë, duke vënë theksin tek infrastruktura në mbarë vendin dhe reforma të tjera mjaft të rëndësishme që konsistojnë në integrimin e plotë të Shqipërisë në BE.