PS, lind fraksioni “Lëvizja për mendim ndryshe”
Zyrtare. Partia Socialiste ka tashmë një fraksion brenda saj që drejtohet nga një pjesë e figurave historike në të. “Lëvizja për mendim ndryshe” quhet fraksioni i ri, i cili ndonëse nuk njihet nga statuti (pasi platforma e Ramës për ligjërimin e fraksioneve u rrëzua në kongresin e 2005-s), ka të gjitha kushtet de facto për t’u cilësuar si i tillë. Arben Malaj, Ben Blushi, Kastriot Islami etj. do të jenë në drejtimin e kësaj lëvizjeje. Lëvizja u bë dje e ditur nga Arben Malaj, anëtar i kryesisë dhe deputet i PS-së, i cili deklaroi se qëllimi i kësaj lëvizjeje do të jetë reformimi i PS-së. Mësohet se deputeti Ben Blushi do të jetë në krye të kësaj lëvizjeje dhe do të menaxhojë gjithë aktivitetin brenda partisë. Njëkohësisht, Blushi dhe shumë nga mbështetësit e tij në kryesi dhe organet e tjera drejtuese të partisë kanë nisur një tur në mbarë vendin për takime me anëtarësinë. Qëllimi i tyre do të jetë bindja e bazës që fillimisht PS-ja të kthehet në Parlament dhe së dyti, reformimi i partisë, duke miratuar platformën e Blushit të paraqitur në kongresin e para dy javëve. “Lëvizja për mendimin ndryshe” në Partinë Socialiste e cila ka në thelbin e saj modernizimin e Partisë Socialiste, ku momenti i parë është një opozitë brenda institucioneve, që në thelbin e saj do të thotë jo bojkotit”, - deklaroi Malaj.
Sot, takimi i parë
Ditën e sotme në Akademinë e Arteve, në orën 18.00 pasdite, të gjithë mbështetësit e Blushit, si dhe të gjithë kundërshtarët e Ramës dhe mbështetësit për një PS të reformuar, do të kryejnë takimin e parë zyrtar. Në këtë takim do të bëhet publike platforma e plotë e reformimit të PS-së si dhe bindja e bazës për kthimin e PS-së në Kuvend. Lajmin e bëri me dije Arben Malaj, i cili tha se do të bëhen me dije të gjitha pikat e kësaj lëvizjeve. “Nesër do të ketë një takim me publikun, pikërisht për të qartësuar të gjitha angazhimet që do të ketë kjo lëvizje, e cila nuk është një lëvizje e personalizuar, po është një përgjegjësi që duhet maksimizuar, si PS duhet të plotësojë misionin e saj në opozitë, si PS duhet të vazhdojë kontributet modernizuese në politikën shqiptare, duke filluar nga momenti i parë që është pikërisht një opozitë e fortë brenda shtetit shqiptar dhe një bojkot i qartë ndaj bojkotit të saponisur nga Partia Socialiste", - bëri të ditur Arben Malaj, deputet i zgjedhur i PS-së.
“Lëvizja për mendim ndryshe” ka mbështetës të shumtë brenda PS-së. Rreth gjysma e kryesisë dhe një numër deputetësh, që janë figura me emër dhe kontribut në PS, tashmë kërkojnë diçka ndryshe. Vëmendja e tyre është larguar nga ndryshimi i lidershipit, duke u fokusuar në kthimin e opozitës në Kuvend, ndryshimin e statutit me qëllim rritjen e peshës së forumeve të partisë dhe uljen e kompetencave të mëdha të kryetarit, si dhe respektimi i statutit për drejtimin e partisë në rastin e humbjes së zgjedhjeve. Sot, do të merren vesh detajet e lëvizjes si dhe mënyrat e saj për të bindur bazën për mbështetje.