Kushtet, PS: Presim reflektimin e Berishës
Deputetja e zgjedhur e PS-së, Olta Xhaçka, deklaroi dje në emër të PS-së se Berisha duhet të reflektojë për kërkesat e bëra nga Edi Rama për të hyrë në Kuvend. “Hapja e kutive është sot një e drejtë e pamohueshme e çdo pale, jo vetëm në botën demokratike, po dhe në Afganistanin e largët, prandaj Sali Berisha duhet të reflektojë përpara se të jetë vonë”, - tha Xhaçka. Ajo tha më tej se Kryeministri nuk ka thënë të vërtetën për koalicionin e mundshëm me PS-në, pasi, sipas saj, nuk ka pasur ofertë nga Rama për bashkëqeverisje. “Nuk pushoi së gënjyeri dje shqiptarët, duke arritur të thotë se ka pasur ofertë nga Edi Rama për të bërë një qeveri pa Ilir Metën, por sot të gjithë shqiptarët e kanë kuptuar se pazari i tij me Ilir Metën për mashtrimin e një pjese të popullit opozitar është bërë përpara 28 qershorit”, - tha më tej Xhaçka.