E Shtunë, 31 Tetor 2026

Këshilltarja e Obamës, mbrëmje festive për znj. Berisha



Në Washington DC, një mbrëmje të veçantë për bashkëshorten e Kryeministrit të Shqipërisë, znj. Liri Berisha. Me rastin e dorëzimit të “Çmimit Ndërkombëtar të Suksesit për Gruan” për znj. Liri Berisha, atë e organizoi organizata e grave demokrate të Washington-it WIN - Women’s Information Network (Rrjeti i Informacionit të Grave). Këshilltarja e Lartë e Presidentit amerikan Barack Obama gjatë Zgjedhjeve Presidenciale të vitit 2008, Karen Mulhauser, njëkohësisht presidente e Rrjetit të Informacionit të Grave i dorëzoi dje në mbrëmje znj. Liri Berisha “Çmimin Ndërkombëtar të Suksesit për Gruan” me motivacionin: "Për përkushtimin tuaj për gratë në botë dhe ato në vështirësi. Për punën tuaj të palodhur për ta bërë botën një vend më të mirë për gratë dhe për të gjithë qytetarët e saj kudo ndodhen". Pasi prezantoi jetën dhe aktivitetin e znj. Liri Berisha, në mbrojtje të të drejtave të grave në Shqipëri, znj. Mulhauser u ndal te puna e palodhur e znj. Berisha në ndihmë të fëmijëve dhe nënave shqiptare dhe së fundi nismën për ngritjen e muzeumit të shqiptares së shquar Nënë Terezës. "Puna dhe aktiviteti i znj. Liri Berisha është emocionues dhe mbresëlënës, ndaj dhe gratë e Washington-it ndihen të nderuara me praninë e znj. Berisha", - tha ajo.

Gjithashtu, znj. Karen Mulhauser, duke përfituar nga rasti që Kryeministri Sali Berisha shpalli dje qeverinë e tij shprehu bindjen për suksesin e rrugës së reformave të ndjekura prej tij. Duke përshëndetur të pranishmit, znj. Liri Berisha shprehu emocionin e saj për nderimin që organizata WIN i ka bërë me dhënien e këtij titulli të lartë. Ajo u ndal edhe tek figura e gruas së madhe shqiptare, Nënë Terezës, nderi i shqiptarëve sot në botë, duke përmendur rëndësinë e nismës për ngritjen në Shqipëri të një muzeumi në nderim të kësaj figure. "Qytetarët nga e gjithë bota ta kthejnë këtë muzeum në një vend pelegrinazhi për vlerësimin e një figure të tillë të lartë", - tha ajo.

Në mbrëmjen e organizuar merrnin pjesë të ftuar nga Kongresi dhe administrata amerikane, aktivistë dhe mbështetës të të drejtave të grave, dashamirës të vendit tonë etj. E themeluar në vitin 1989, Women’s Information Network (WIN) mbetet një nga organizatat më të rëndësishme politike, dedikuar mbështetjes dhe fuqizimit të aktivitetit të grave dhe vajzave demokrate amerikane. Anëtaret e këtij rrjeti janë gra demokrate, të angazhuara politikisht, të cilat punojnë në Kongresin dhe administratën amerikane, grupime të mendimit politik, kompani konsulence, etj. WIN bashkëpunon ngushtësisht me Kongresin Amerikan, duke pasur pjesë të aktiviteteve të saj 5 senatore dhe 38 kongresmene.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›