Në pritje të dekretimit, Berisha, kafe në zyrë me 15 ministrat
Çajin e përditshëm të salepit Kryeministri i vendit Sali Berisha paraditen e djeshme preferoi ta pinte me stafin e ri të qeverisë. Një ditë pas prezantimit të 15 emrave dhe vetëm pak çaste pas dërgimit të listës së ministrave në Presidencë, z. Berisha thirri në zyrën e tij kryeministrore anëtarët e kabinetit të ri. Jo në mbledhjen e parë të Këshillit të Ministrave, por një kafe mëngjesi mes miqsh dhe bashkëpunëtorësh, që i hap rrugën një pune të gjatë 4-vjeçare që pikërisht ky staf do të kryejë përgjatë mandatit 209-2013. Dhe kjo, për të shfrytëzuar kohën e pritjes së dekretimit të qeverisë së re nga kreu i shtetit, Bamir Topi. Biseda të lirshme, mbushur me nota humori mes vartësve dhe shefit, por ku kreu i qeverisë nuk ka mundur të dalë jashtë seriozitetit që e karakterizon si individ dhe si drejtues shteti. Pasi i ka inkurajuar për detyrat e reja, z. Berisha nuk ka ngurruar t’u kujtojë dhe përgjegjësitë e mëdha që kanë mbi supe. Fill pas votimit në Parlament, atyre do t’u duhet të vënë në punë mendjen dhe energjitë për të përmbushur çdo rresht të dokumentit qindra faqesh të programit politik qeverisës që Kryeministri Berisha pritet ta shpalosë në seancën e votimit. Mbrëmjen e 9 shtatorit, Kryeministri i rimandatuar, Sali Berisha, u prezantoi shqiptarëve kabinetin e ri të Këshillit të Ministrave. Por para se programi të kalojë në parlament, Berisha u kërkoi të gjithë ministrave që t’a përfundojnë sa më shpejt.
Gjatë prezantimit të qeverisë së re, Kryeministri Berisha vlerësoi secilin prej anëtarëve të kabinetit qeveritar. Për kreun e LSI-së, i cili do të mbajë postin e zëvendëskryeministrit dhe ministrit të Jashtëm, Berisha vuri në dukje se është politikan me një karrierë të gjatë në politikë, nga ditët e para të dhjetorit ’90 deri më sot. Ish-ministrin e Transporteve, Lulzim Basha, tashmë ministër i Punëve të Brendshme, Berisha e cilësoi si një nga ministrat më të suksesshëm gjatë kohës që mbante atë post. Sipas kreut të ekzekutivit, Basha do të punojë me Metën për heqjen e vizave dhe lëvizjen e lirë të shqiptarëve drejt zonës “Shengen”. Majlinda Bregu, pasi rezulton ministrja më jetëgjatë dhe e vetmja femër në kabinet, ajo është vlerësuar nga Berisha si një avokate e suksesshme e arritjeve të këtij vendi dhe një koordinatore e zonja. Për Bujar Nishanin, ministër i Drejtësisë, kreu i ekzekutivit përmendi vlerat e tij si politikan dhe ministër efecient, si dhe një nga bashkëpunëtorët e tij më të ngushtë gjatë gjithë këtyre viteve. Sipas Berishës, financat kanë pësuar transformimin më të thellë, nën drejtimin e Ridvan Bodes për 4 vitet që ikën. Kryeministri shprehu bindjen se Bode do të thellojë reformat në fushën fiskale. Për ministrin e ri të Bujqësisë, kreu i mazhorancës vuri në dukje se Genc Ruli është një ministër ndër më të suksesshmit në mandatin e parë dhe se reforma të thella, të realizuara në fushën e ekonomisë kanë pasur një pasqyrim të madh në klimën e biznesit.
Ish-themeluesi i PD-së, Arben Imami, ka marrë vlerësimet e Kryeministrit si një nga bashkëpunëtorët e tij më të ngushtë në këto katër vite. Dritan Prifti i LSI-së, tani ministër Ekonomie, gëzon konsideratën e z. Berisha si një ndër ekonomistët më të mirë në vend, politikan me integritet të lartë dhe i graduar në Harward në SHBA. Sokol Olldashi - ministër i Transporteve, i rikonfirmuar në postin që mban në krye të Ministrisë së Transporteve, sipas Berishës, ka bërë një punë intensive në transformimin e infrastrukturës gjatë kësaj periudhe. Myqerem Tafaj - ministër i Arsimit. Sipas Berishës, Tafaj është njeriu që ka hartuar reformën e sistemit arsimor në Shqipëri dhe që i ka dhënë një ndihmë të jashtëzakonshme gjatë këtyre 4 viteve në fushën e reformave në arsim. Spiro Ksera - ministër i Punës.
Përfaqësuesi i minoritetit, Spiro Ksera vlerësohet nga Kryeministri si një nga bashkëpunëtorët e tij më të çmuar. Ksera, sipas tij, dha një kontribut real, të ndjeshëm në zgjedhjet e 28 qershorit. Ferdinand Xhaferri - ministër i Kulturës. Deputeti i Durrësit është një nga bashkëpunëtorët më të hershëm, sipas Kryeministrit Berisha. Ai vlerësohet nga kreu i ekzekutivit si një ndër parlamentarët më aktivë, një organizator shumë i mirë. Fatmir Mediu - ministër i Mjedisit. Kryetari i PR-së rikthehet në qeveri dhe Berisha beson se ai do të drejtojë me kompetencë dhe përkushtim dikasterin e Mjedisit. Mediu vlerësohet si politikan me përvojë. Petrit Vasili - ministër i Shëndetësisë. Pasi ka qenë zv.ministër, Petrit Vasili mori vlerësimet e kreut të mazhorancës si drejtues me përvojë, si dhe shprehu besimin për reformat në sektorin që do të drejtojë. Por pavarësisht vlerësimeve të Kryeministrit Sali Berisha në ditën e prezantimit të stafit me të cilën do të qeverisë shqiptarët përgjatë 4 viteve të ardhshme, 15 ministrave do t’u duhet shumë punë për të bërë, madje duke ecur me hapin e shefit të ekzekutivit në drejtim të reformave në vend.