Berisha, Pula: Kosova, mirënjohje për Durrës-Kukës-Morinë
Kosova i është mirënjohëse Shqipërisë për projektin e rrugës Durrës-Kukës-Morinë si urë lidhëse mes dy shteteve. Kryeministri Berisha priti dje në një takim të Ngarkuarin me Punë të Kosovës në Shqipëri, z. Gazmend Pula. Kryeministri Berisha u shpreh se ishte kënaqësi e veçantë të priste përfaqësuesin e Kosovës së pavarur dhe t’i uronte atij suksese në misionin e tij diplomatik në Shqipëri. Z. Gazmend Pula falënderoi Kryeministrin për pritjen, duke theksuar se e konsideronte një nder të madh dhe një moment historik takimin e tij në cilësinë e Përfaqësuesit të Kosovës së pavarur, me Kryeministrin Berisha. Pasi i përcolli përshëndetjet më të përzemërta dhe vëllazërore të Presidentit Sejdiu, Kryeministrit Thaçi, ministrit të Jashtëm Hyseni, i Ngarkuari me Punë i Kosovës falënderoi Kryeministrin Berisha për përkrahjen e jashtëzakonshme e të vazhdueshme që ai personalisht dhe qeveria shqiptare, i dhanë rrugëtimit të Kosovës për liri dhe pavarësi. Në vijim, zoti Gazmend Pula i shprehu Kryeministrit Berisha mirënjohjen e thellë të qeverisë dhe institucioneve të Kosovës për projektin e rrugës Durrës-Kukës-Morinë, të cilën ai e cilësoi si një projekt madhështor për forcimin e mëtejshëm të lidhjeve vëllazërore mes qytetarëve të të dy vendeve tona, por edhe si një projekt shumë i rëndësishëm për promovimin e integrimit rajonal dhe euroatlantik të Ballkanit. Të dy palët shprehën vendosmërinë për thellimin dhe zgjerimin e bashkëpunimit në të gjitha fushat, si dhe për ndërmarrjen e projekteve të përbashkëta infrastrukturore, në veçanti, për sa i përket transportit rrugor dhe rrjeteve energjetike, të cilat do t’i shërbejnë interesit ekonomik dhe zhvillimit të të dy vendeve, por edhe rajonit. I Ngarkuari me Punë i Kosovës, z. Gazmend Pula, shfrytëzoi rastin të falënderonte Kryeministrin Berisha edhe për sigurimin e mjediseve për vendosjen e përfaqësisë së Kosovës në Tiranë, duke e cilësuar atë si një simbolikë tjetër të përkrahjes së veçantë që Kryeministri Berisha dhe qeveria e tij japin Kosovës.