Bosch: Kodi Zgjedhor, gati në nëntor
Ambasadori i OSBE-së në Tiranë, Robert Bosch, mbetet optimist se Kodi Zgjedhor do të përfundojë shpejt. Këtë garanci Bosch e shprehu në një intervistë për gazetën. Ambasadori Bosch ishte dje i pranishëm në një takim të organizuar nga kryetarja e Kuvendit, Topalli, për pjesëmarrjen e gruas në politikë, ku ai bëri apel për përfshirjen reale të saj në vendimmarrje.
Kreu i prezencës së OSBE-së në Tiranë, Robert Bosch, ka marrë garanci nga palët politike se reforma zgjedhore do të përfundojë shpejt. Këtë ai e shprehu dje në një intervistë për gazetën “standard”. Afati i Komisionit të posaçëm për Reformën Zgjedhore përfundon në fillim të këtij muaji, duke bërë që koha të mos jetë në favor të realizimit të kësaj reforme. Duke parë mungesën e kohës, Bosch ka organizuar një takim me drejtuesit e këtij komisioni nga ku ka marrë garanci se Kodi Zgjedhor do të shkojë javën e parë të nëntorit në Kuvend për t’u votuar. Ambasadori i OSBE-së e pohoi gjatë intervistës ku pohoi se mbetet optimist se ky afat i fundit do të respektohet. Ambasadori Bosch u pyet edhe në lidhje me raportin e publikuar nga OSBE-ja në lidhje me punën e institucionit gjatë vitit 2008. Ai nuk pranoi të bënte ndonjë koment në lidhje me një krahasim të mundshëm të raporteve të viteve të kaluara të OSBE. Bosch u shpreh se nuk dëshironte të fliste për periudhën në të cilën ai nuk ka qenë në krye të OSBE-së në Tiranë.
Ndërkohë, gjatë takimit të djeshëm të organizuar nga kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, për pjesëmarrjen e gruas në politikë, Robert Bosch bëri apel për përfshirjen reale të gruas në politikë. “Në Shqipëri ka optimizëm se Kodi Zgjedhor do të promovojë një përfaqësim më të barabartë. Në propozimet më të fundit propozohet një kuotë gjinore prej 30%. Një propozim i tillë duhet përshëndetur si një hap i madh përpara”, - tha Bosch. Ai shtoi më tej se ka “besim se klasa politike në Shqipëri do ta vlerësojë përgjegjësinë e saj të përbashkët për një ripërkufizim pozitiv të rolit politik të grave në këtë vend”.
Zoti Bosch, tani jemi në tetor dhe reforma zgjedhore nuk ka përfunduar ende. Jeni optimist se ajo do të miratohet?
Ditën e djeshme pata një takim me drejtuesit e Komisionit të posaçëm dhe më siguruan që do të jetë në Parlament në javën e parë të muajit nëntor. Kështu që mbetem optimist.
Jeni i sigurt që ka për të ndodhur?
Mendoj që po, përderisa ata më siguruan, sigurisht që e besoj, duhet ta besoj.
Prezenca e OSBE-së publikoi raportin për vitin 2008. Por në rast se bëjmë një krahasim me vitet e kaluara, ku janë avantazhet dhe problemet në Shqipëri?
Kjo është një sfidë që po më bëni, për shkak se unë ndodhem prej një viti në Shqipëri dhe kështu nuk mund të komentoj ato që kanë ndodhur përpara se unë të isha në krye të OSBE-së.