E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha: Puna e zezë të konsiderohet vepër penale

Kryeministri Sali Berisha i kërkon dy ministrave të gjejnë formulën ligjore

TIRANË- Në mbledhjen e radhës së Këshillit të Ministrave, kryeministri Sali Berisha i kërkoi Ministrit të Financave dhe atij të Drejtësisë, përcaktimin e prerogativave të nevojshme ligjore për të marrë masa kundrejt atyre që favorizojnë punën në të zezë. “Ne kemi bërë një revolucion të vërtetë fiskal. Kemi krijuar mundësinë, kemi hequr një barrë të madhe fiskale formale dhe informale ndaj biznesit dhe biznesmenëve. Kemi treguar mirëkuptim dhe tolerancë, kemi zhvilluar dhe do të zhvillojmë një dialog konstant me ta, por ka një pikë në të cilën unë kërkoj nga Ministri i Financave dhe nga ju zoti ministër i Drejtësisë, të përcaktojmë prerogativat ligjore më të rrepta dhe këto prerogativa do të quhen prerogativat anti-skllavëri ekonomike”,- tha dje Berisha. Kryeministri kërkoi nga institucionet përkatëse që çështja në fjalë të mos trajtohet thjesht si një problem civil, por të përfshihet në veprat penale. “Asnjë prej tyre nuk do të punojë në të zi. Secili prej tyre kërkon të ketë një shumë parash të derdhura për pensionin e tij apo për sigurime të tjera. E rëndësishme është se kjo do të shpallet vepër penale”, -tha ai. Kryeministri u shpreh se do të merren masa që të paguhen sigurimet, jo vetëm për punëtorët e punësuar me afat të gjatë, por edhe për punëtorët sezonale, të cilët janë të shumtë në numër sidomos gjatë sezonit turistik.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›