Raportuesit e KE-së, takime për reformat në vend
TIRANË- Raportuesit e Komisionit të Monitorimit të Këshillit të Evropës pas takimeve të zhvilluara me kryeministrin Sali Berisha, Presidentin e Republikës, Bamir Topi dhe Kryetaren e Kuvendit, Jozefina Topalli, kanë vënë në dukje nevojën e vazhdimësisë së reformave me qëllim përmbushjen e aspiratave integruese të vendit. Gjatë takimeve, raportuesit David Wilshire dhe Jaakko Laakso u interesuan në mënyrë të veçantë për reformën në drejtësi dhe reformën elektorale. Konkretisht, në takimin me kryeministrin Sali Berisha, raportuesit e KE-së ndanë të njëjtën pikëpamje sa i përket rëndësisë që ka kufizimi i imunitetit të personave që e gëzojnë atë, në rastet e hetimit për korrupsion. Kufizimi i imunitetit, theksuan përfaqësuesit e KE-së, në raste të tilla, është një faktor i rëndësishëm për luftën ndaj korrupsionit. Ndërsa Kryetarja e Kuvendit i njohu reporterët me reformat në proces në Kuvend, si ajo e drejtësisë dhe reforma zgjedhore. Kryetarja Topalli theksoi se institucionet shqiptare kanë të gjithë vullnetin për të realizuar zgjedhje të lira e me standarde dhe brenda një kohe të shkurtër do të bëhen pasaportat biometrike dhe kartat e identitetit.