E Diel, 1 Nëntor 2026

Komisioni për Zgjedhjet, mandati drejt shtyrjes

S’janë zgjidhur ende dy çështjet kryesore që lidhen me koalicionet dhe administratën zgjedhore

TIRANË- Mandati i Komisionit për Reformën Zgjedhore ka gjasa që të shtyhet sërish. Kjo sepse ende anëtarët e komisionit për reformën zgjedhore nuk kanë arritur të zgjidhin dy kapitujt e rëndësishëm që lidhen me koalicionet ku janë të përfshira edhe formulat e tyre dhe ai për administratën zgjedhore. Bashkëkryetari demokrat i komisionit parlamentar për zgjedhjet, Ilir Rusmali, ka deklaruar dje se ekspertët vazhdojnë të punojnë mbi çështjet më të rëndësishme. Megjithatë, Rusmali u shpreh se nuk mund të paralajmëronte shtyrjen ose jo të komisionit, pasi një gjë e tillë do të vërehej vetëm në fund të Muajit. “Ne jemi duke punuar intensivisht. Kemi zhvilluar disa mbledhje dhe kemi miratuar disa kapituj si komision, por sigurisht që nuk kemi miratuar ende dy kapitujt më të rëndësishëm të Kodit Zgjedhor, të paktën politikisht, se dispozitat janë të gjitha të rëndësishme”,- tha Rusmali, duke sqaruar më tej se, kapitujt në fjalë lidheshin me koalicionet dhe administratën zgjedhore. Edhe pse ekspertët, sipas tij, po punojnë për hartimin e një teksti përfundimtar, Rusmali theksoi se Komisioni për Reformën Zgjedhore ka ende afat për të punuar deri në fund të muajit. Ai njoftoi edhe një seancë dëgjimore me ekspertë të Ministrisë së Brendshme për regjistrat e gjendjes civile dhe pajisjes së shtetasve me certifikata.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›