Dule: Bashkëpunimi me opozitën, jo imoral
TIRANË- Megjithëse është pjesë e kabinetit qeveritar, Partia Bashkimi për të Drejtat e Njeriut i është bashkuar opozitës në luftën e saj kundër cenimit të institucioneve që japin drejtësi dhe përkeqësimit të nivelit të sigurisë në vend. Kreu i kësaj force, Vangjel Dule dhe deputeti Leonard Solis kanë marrë pjesë dje në tryezën e thirrur nga kreu i Partisë Socialiste, Edi Rama, me krerët e partive opozitare, ku dhe kanë diskutuar për rrugët që duhet të ndiqen për të ndaluar përpjekjet e qeverisë për të vënë nën kontroll institucionet e drejtësisë, siç është edhe rasti i Prokurorisë. Duke folur pas takimit, kreu i PBDNJ-së ka sqaruar edhe një herë se mbetet në profilin e kësaj force politike dialogu me çdo forcë apo aktor tjetër politik në vend, pavarësisht nëse gjendet në pozitë apo opozitë. “Nëse e keni ndjekur PBDNJ në vijimësi, është çështje e profilit të saj çështja e demokracisë, e funksionimit të shtetit të së drejtës, aq më tepër e sigurisë publike dhe funksionimit të drejtësisë. Duhet të keni të qartë se PBDNJ nuk i beson instrumentit tjetër në politikë, në sistemin e shtetit të së drejtës, veç atij të dialogut. Është një çështje kjo, e drejtësisë, që i kalon caqet partiake, i kalon caqet qeveritare të ditës, dhe rrjedhimisht kështu duhet ta shikojmë të gjithë”, - tha Dule pas takimit. Ndërsa pyetjes së gazetarëve mbi moralitetin e një lëvizjeje të tillë politike të PBDNJ-së, kryetari i saj Vangjel Dule i është përgjigjur se nuk mund të flitet për diçka të tillë kur bëhet fjalë për çështje thelbësore, për shtetin demokratik, siç është drejtësia. “Nuk e kuptoj ç’lidhje ka me moralin të jesh në qeveri dhe të bashkëbisedosh, në të njëjtën kohë, me çdo forcë politike, pavarësisht nëse është në pozitë apo në opozitë, për drejtësinë dhe sigurinë e qytetarit”,- theksoi Dule. Ai ka bërë të qartë se pavarësisht se PBDNJ është në qeveri, kjo parti do të bashkohet me opozitën në çdo përpjekje të saj që ka të bëjë me mbrojtjen e shtetit dhe demokracisë në vend. “Bashkohemi me të gjithë me funksionimin e shtetit të së drejtës. Bashkohemi me të gjithë, me frymën e konsensusit për çështje madhore, të cilat kapërcejnë mandatet e koalicioneve dhe të qeverive”, - tha Dule.