Berisha: Pushtetarët po e shkatërrojnë Prizrenin

Kryetari i Bashkimit Demokratik në Prizren, Zafir Berisha ka kritikuar pushtetin lokal për mënyrën e investimeve në shërbimet publike, uzurpimin e pronës shoqërore,dëmtimin e pasurisë shoqërore, dhe ndërtimet pa leje.
“ Shkatërrimi i rrugëve dhe i trotuareve që po ndodh pa kritere ditëve të fundit nga individ të papërgjegjshëm, ndërmarrje të lidhura me qeverinë e “Piratëve” si dhe investime kozmetike që po bëjnë vetëm e vetëm për t’i dhënë tender firmave të caktuara është tepër shqetësuese”, tha Berisha, transmeton PrizrenPress.
Ai tha se rregullimi i trotuarit në rrugën ‘Remzi Ademaj’ është investimi i gabuar. “Për arsye se rruga nuk e ka infrastrukturën nëntokësore dhe projekti nga udhëkryqi i lagjes “Tabakhane” e deri tek “Lidhja e Prizrenit” duhet të punohet në tërësi me qëllimin që ujërat e zeza mos të derdhën ne Lumbardhë”, tha Berisha.
Ai ka përkujtuar edhe premtimin që kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi kishte bërë për rregullimin e Lumbardhit në Prizren. “Kur jemi te shtrati i lumit Lumbardhë duhet të kujtojmë edhe premtimet e më shumë se 25 milion euro që “krye Pirati” Hashim Thaçi dhe argati i tij Mahir Yakgjilar kishin premtuar para 4 viteve për të investuar në këtë projekt. Ky projekt si dhe Hidrocentrali i Zhurit dhe disa projekte tjera koha po tregon se kanë qenë premtime mashtruese elektorale vetëm për t’i marrë votat e qytetarëve që për Bashkimin Demokratik edhe investimet kozmetike që po bëhen nënkupton keqpërdorimin e parasë së qytetarëve për ti mashtruar pasi që jemi në prag të zgjedhjeve lokale”, tha Berisha.
Ai vlerësoi se uzurpimet dhe shkatërrimi i pronës publike në Prizren, është i përmasave shqetësuese .”Hekurudhat janë shkatërruar tërësisht dhe shumë hapësira siç është rasti në lagjen “Ortakoll” dhe Tregu i Gjelbër po uzurpohen nga klanet para politike të qeverisë së Piratëve të PDK-së”, theksoi ai.
Berisha tha se ndërtimet pa asnjë kriter në Zonën Mbrojtëse dhe në zonat ku janë të rregulluara me plan Urbanistik,është njëri nga shqetësimet më të mëdha të qytetarëve dhe të Bashkimit Demokratik.”Prandaj me këtë rast bëjmë apelin e fundit qytetarëve të Prizrenit për një unitet që “kusarëve “ të partisë në pushtet t’i jepet përgjigja e merituar me daljen masive në zgjedhje dhe dënimin e kësaj qeverie me votë”, tha Berisha. /Indeksonline/