Berisha: Qëndrimi i Bashës për Piramidën, personal.
TIRANË- Kryeministri Sali Berisha paralajmëroi dje se Piramida do të prishet dhe se qëndrimi i Bashës për këtë çështje ka qenë krejtësisht personal. Berisha tha se kompleksi i ri parlamentar që do të ndërtohet është ndër më dinjitozet për kryeqytetin. Kreu i ekzekutivit sqaroi gjithashtu se vendimi i Bashës në Kuvend për këtë çështje nuk mund të ishte kundër pasi, në këto raste anëtari i një grupi kur je shumicë është i detyruar të votojë si grupi. ”Ato çka thotë Basha, ai e ka bindje. Është një bashkëpunëtor i imi. Mendimin e tij e formulon dhe e shpreh në mënyrën më konstante”,- tha Berisha, duke theksuar se do të ishte e gabuar të thuhej që ai e ka të stisur një qëndrim të tillë. “Jo, ai ka mendimin e tij. Qeveria ka qëndrimin e vet. Nuk përfaqëson ai qëndrimin e qeverisë. Është qëndrimi i tij”,- shtoi Berisha. Kryeministri nuk la pa përmendur edhe mbështetjen që Basha po merr çdo ditë përmes rrjetit social Facebook. “Bashomania në Facebook është bërë fenomeni numër një”,- tha Berisha. Kryeministri nuk pranoi faktin që PD-ja ka humbur tre mandate për kryetar bashkie. Berisha citoi raportet e ndërkombëtarëve për zgjedhjet e vitit 2000, në vitin 2003, sipas tij, Rama rrëmbeu kutitë e votimit, ndërsa në 2007 kryetari aktual i Bashkisë fitoi përmes disa mekanizmave të tjerë. Kryeministri u pyet mbrëmë edhe për dëshminë e Hysen Shoshorit, të bërë publike në emisionin “Xhungël”. Berisha i cilësoi krejtësisht të pabaza, ndërsa hodhi dyshime edhe mbi gjendjen mendore të Shoshorit. Berisha mohoi të ketë marrë pjesë në ndonjë proces gjyqësor politik. “...Kjo përbën një fantazi nga më vulgaret. Nuk e di se në ç’gjendje është ai... Di që kurrë nuk kam marrë pjesë në asnjë proces civil apo penal. Që nga viti 1944 kur kam lindur nuk kam qenë kurrë, në asnjë rast, në asnjë rrethanë”, - tha Berisha. I pyetur nëse kishte pasur ndonjë kuriozitet që ta takonte, Berisha u përgjigj se jo, pasi nuk mund të shpenzonte qoftë edhe një sekondë kohë. “Si ky mund të dalë edhe ndonjë njeri tjetër. Ky dhe shumë të tjerë janë dënuar me 25 vjet burg, por cili është statusi mendor i tij unë këtë nuk e di... Unë nuk kam qenë kurrë në jetën time në asnjë sallë gjyqi”,- tha ai. Kryeministri u pyet gjithashtu për konfliktin e fundit mes zv.ministrit të Brendshëm, Avenir Peka, dhe drejtorit të forcave lëvizëse operacionale, Shemsi Prençi. Berisha tha se për këtë çështje do të presë hetimet e Prokurorisë, por nuk ngurroi të shtojë se nga ai nuk ka pasur asnjë urdhër për shkelje të ligjit. “Ky është në proces, në hetim. Të dy palët kanë paditur në prokurori njëri-tjetrin. Le të hetohet sesi është. Policia ka vetëm një urdhër; të zbatojë ligjin, ligjin dhe vetëm ligjin. Kjo është porosia e prerë që drejtori dhe zv.ministri kanë nga Kryeministri i vendit... Që të dy më kanë dhënë shpjegimin e tyre njëri me shkrim, tjetri me gojë. Janë adresuar në prokurori. Po bëhet hetim i plotë
Deri sa Prençi i është drejtuar Prokurorisë dhe Peka po prokurorisë, le t’ia lëmë Prokurorisë”, - tha Berisha, duke shtuar se të gjitha veprimet e kryera në të gjitha rastet kanë qenë tërësisht ligjore dhe apartiake. I pyetur për ndryshimet në qeveri sa i përket dy vendeve bosh pas dorëheqjes së Bashës dhe Xhaferrajt, Berisha tha se ato do të bëhen para zgjedhjeve.