Xhaçka: “Meta e Berisha, aktorë të krizës politike”
Selia rozë reagoi dje pas deklaratës së zëvendëskryeministrit Meta që propozoi uljen e Berishës dhe Ramës në një tryezë diskutimi. Nëpërmjet deputetes Olta Xhaçka, Partia Socialiste deklaroi se Meta dhe Berisha janë aktorë të krizës politike dhe se kriza politike zgjidhet vetëm nëpërmjet hapjes së kutive të votimit. “Ilir Meta, pasi tradhtoi zemrat e 83 mijë shqiptarëve që në zgjedhjet e 28 qershorit votuan kundër Sali Berishës, vazhdon t’i zhgënjejë të gjithë shqiptarët, të cilët, ndryshe nga qytetarët e Serbisë, Maqedonisë dhe Malit të Zi, do të mbeten të vetmit në Europë që nuk do të përfitojnë nga liberalizimi i vizave. Ky njeri, që është sot paterica që mban Sali Berishën në pushtet, duhet t’u shpjegojë të gjithë shqiptarëve pse në datën 19 dhjetor ata nuk do të mund të lëvizin lirisht në Europë, pse Shqipëria ngeli në klasë dhe do të jetë e fundit që do të liberalizojë vizat me Bashkimin Europian. Dhe nëse Ilir Meta dhe Sali Berisha janë vërtet të interesuar për të zgjidhur krizën, ku vetë Ilir Meta dhe ministrat e partisë së tij janë aktorë kryesorë duke rritur çmimin e energjisë dhe koston e kujdesit shëndetësor, le të hapin kutitë dhe të zbardhin të vërtetën e 28 qershorit. Pa hapur kutitë ku këta zotërinj mbajnë fshehur krimin elektoral të 28 qershorit, nuk ka zgjidhje, por vetëm zgjedhje. Të hapin kutitë, ose të largohen”, - është shprehur Xhaçka.
18 Dhjetor 2009