Berisha: Qeveria e angazhuar në luftën me tolerancë zero ndaj korrupsionit
Zhvillohet në Tiranë, konferenca me temë, “Për një qeverisje më të mirë” organizuar nga Banka Botërore
Kryeministri Sali Berisha theksoi dje vendosmërinë dhe angazhimin e mazhorancës qeverisëse në luftën me tolerancë zero ndaj korrupsionit, që sipas tij, “është e keqja më e madhe në një shoqëri”.
Duke folur në konferencën me temë, “Për një qeverisje më të mirë” të organizuar nga Banka Botërore, në Tiranë, kreu i qeverisë kërkoi një politikë penale më të ashpër, për të gjithë zyrtarët të cilët përfshihen në korrupsion. “Duhet të garantohet barazi e plotë para ligjit për të gjithë ata që kryejnë një vepër të tillë, tha ai, duke theksuar se, nuk ka armik më të egër për njeriun e lirë sesa korrupsioni dhe asnjë reformë nuk mund të ketë sukses nëse nuk do të ketë luftë ndaj korrupsionit. Qeveria shqiptare gjatë këtyre viteve është përballur me suksese, por paraqitet nevoja e përmirësimit të mëtejshëm të efiçencës së qeverisjes, tha Berisha ndërsa nënvizoi se, ndaj krimit të organizuar, toleranca ka qenë zero, ndërsa qeveria vazhdon të jetë e angazhuar gjithashtu në luftën ndaj korrupsionit. Ne kemi pasur sukses në zbatimin e ligjit dhe qeveria ka bërë përpjekje të mëdha. Por për luftën kundër korrupsionit, duhet pasur një vullnet politik i pashtershëm”, tha kreu i qeverisë.
Duke u ndalur në zhvillimet ekonomike në vend, Berisha tha se Shqipëria është i vetmi vend, në Europë që dyfishoj të ardhurat tatimore në kushtet e krizës ekonomike globale dhe që shënoi rritje të ekonomisë.
“Shqipëria është vendi që vendosi për sistemin e numërimit elektronik. Ajo zbaton edhe taksa mjaft të ulëta. Edhe investimet janë rritur shumë, ndërsa ka nisur puna për të instaluar portalin e monitorimit. Nga ana tjetër,ai bëri të ditur se qeveria ka krijuar edhe një Task-Force për regjistrin e pronës ndërsa instalimi dhe përdorimi i internetit është rritur me 50 për qind”.
Kryeministri Sali Berisha gjatë fjalës së tij apeloi për shtrirjen e procedurave dixhitale në të gjitha shërbimet, si mënyra më e mirë për të luftuar korrupsionin.
“Regani ka thënë se qeveria është problemi, ndaj dhe ju ftoj me përkushtim të madh të punojmë për të përsosur më tej atë”, tha Berisha duke kërkuar instalimin me shpejtësi të portalit elektronik administratë-biznes.
Kryeministri vlerësoi si çështje serioze, problemet me pronësinë, i cili sipas tij është çelësi thelbësor për të shmangur aktet korruptive në administratë.
“Problemet me pronësinë janë një problem serioz që duhet të marrë zgjidhje me regjistrin e tokës. Banka Botërore ka angazhuar fonde në këtë drejtim, qeveria ka krijuar një taks forcë të kryesuar nga kryeministri duke e konsideruar regjistrin e pronës pas regjistrit të gjendjes regjistër themelor. Regjistri i pronës është kusht themeltarë. për të zvogëluar rolin e faktorit pronë si gjenerator aktesh korruptive në administratë”, nënvizoi kryeministri Berisha.
“Biznesi duhet të kontrollojë qeverinë në çdo qelizë, tha ai. Në kuadër të qeverisjes së mirë, qeveria ka vendosur standarde të reja në sektorin e taksave dhe doganave por sërish në këto sektor duhet të thellohet transparenca”, theksoi kreu i ekzekutivit.
Në Konferencën “Për një qeverisje më të mirë”, morën pjesë ekspertë vendas dhe të huaj që operojnë në fushën legjislative, qeverisjes vendore dhe sektorëve të ndryshëm të ekonomisë. Konferenca po vijon punimet në nivel ekspertësh.