“Zgjedhje transparente dhe kompetitive”, vlerësimi që përmbledh gjithë standardet e procesit zgjedhor”

Kryeministri Berisha takohet me delegacionin e ODIHR, të kryesuar nga Jonathan Stonestreet
Kryeministri Berisha priti në takim delegacionin e ODIHR, i cili kryesohej nga Kryetari i misionit të ODIHR për vëzhgimin e zgjedhjeve vendore të 8 majit 2011 Jonathan Stonestreet. Ai falënderoi kryeministrin Berisha për pritjen si dhe çmoi asistencën dhe bashkëpunimin që qeveria shqiptare i ofroi misionit vëzhgues përgjatë periudhës së vëzhgimit. Ai gjithashtu vlerësoi deklaratën e bërë nga kryeministri pas publikimit të raportit përfundimtar të OSBE/ODIHR.
Kryeministri Berisha falënderoi nga ana e tij zotin Stonestreet dhe misionin që ai drejtoi për punën e kryer si dhe e çmoi raportin e ODIHR si realist e që vë në pah progresin e zgjedhjeve te 2011 karshi zgjedhjeve te shkuara ne përmbushjen e standardeve si dhe nevojat për përmirësim të procesit zgjedhor.
Kryeministri u shpreh se cilësimi i zgjedhjeve si transparente dhe kompetitive është një vlerësim qe përmbledh te gjitha standardet qe ka arritur procesi zgjedhor i 2011. Kryeministri nënvizoi se rekomandimet e ODIHR në raportin e vitit 2011 së bashku me rekomandimet e vitit 2009 përbëjnë një bazë shumë të mirë procesin e reformës zgjedhore. Ai siguroi delegacionin e ODIHR se mazhoranca ka vullnetin e plotë për ti trajtuar të gjitha rekomandimet në mënyrë konsensuale me opozitën dhe se ajo është e gatshme që puna për to të fillojë menjëherë me ngritjen e komisionit parlamentar.
Kryeministri Berisha dhe Stonestreet ndanë të njëjtin mendim se reforma e ardhshme duhet të përfshijë edhe institucionet përgjegjëse si KQZ dhe organizatat e shoqërisë civile të specializuara në çështjet zgjedhore. Kryeministri Berisha theksoi se tryeza e reformës zgjedhore e iniciuar nga mazhoranca në vjeshtën e vitit 2010 kishte pikërisht këtë frymë gjithëpërfshirëse dhe është një precedent i mirë në këtë drejtim.
Kryeministri ftoi ODIHR dhe Komisionin e Venecias të japin ekspertizën e tyre në procesin e reformës dhe rikonfirmoi qëndrimin se mazhoranca mirëpret propozimet e opozitës të bazuara në rekomandimet e ODIHR dhe të certifikuara nga këto dy institucione prestigjioze. Stonestreet e mirëpriti ftesën dhe siguroi për gatishmërinë e ODIHR që në bashkëpunim me Komisionin e Venecias të asistojnë procesin e ardhshëm të reformës zgjedhore.
Stonestreet–Haxhinasto: Për reformën zgjedhore, i rëndësishëm vullneti i partive
Kreu i misionit vëzhgues të OSBE/ODIHR-it, Jonathan Stonestreet e cilësoi dje të rëndësishëm që “zgjedhjet të bëhen për popullin, në mënyrë që ata kenë të zgjedhurit e tyre dhe kjo është më e rëndësishme sesa beteja e forcave politike”. Gjatë një konference të përbashkët për shtyp me zëvendëskryeministrin dhe ministrin e Jashtëm, Edmond Haxhinasto, Stonestreet theksoi se “për këtë, përveç hapave legjislativë që duhen ndërmarrë, është e rëndësishme të kemi edhe vullnetin e partive politike”.
Duke shprehur vlerësime për iniciativën e MPJ-së dhe autoriteteve të tjera për të respektuar dhe ndjekur rekomandimet e dhëna nga OSBE/ODIHR-i, ai shprehu besimin që puna për reformën zgjedhore të fillojë sa më shpejt që të jetë e mundur dhe që ajo të përfundojë të kohë të mjaftueshme para zgjedhjeve të ardhshme. Ai bëri të ditur se në raportin e OSBE/ODIHR-it, është bërë një përshkrim i plotë i situatës zgjedhore duke theksuar pikat pozitive dhe fushat ku ende nevojitet të bëhet një përmirësim.
Ndërsa zëvendëskryeministri dhe ministri i Jashtëm, Edmond Haxhinasto u shpreh se rekomandimet e OSB/ODIHR-it do të shërbejnë si një plan i rëndësishëm pune dhe si një pikë reference për reformën e ardhshme zgjedhore.
Ai u shpreh se “ky është një angazhim i qartë i kësaj mazhorance qeverisëse dhe së shpejti do të ketë një kalendar për të realizuar këtë reformë, duke vazhduar bashkëpunimin e frytshëm me OSBE/ODIHR por edhe me institucione të tjera, të specializuara në këtë fushë”.