E Diel, 1 Nëntor 2026

Pse Fatmir Xhafaj sulmoi presidentin Topi, pas vrasjes së gjyqtarit Konomi?

14-09-2011 / Redaksionale

Fatmir Xhafaj regjistroi dje në sallën e parlamentit sulmin e parë publik të socialistëve ndaj presidentit Bamir Topi. Sulmi s’ka ardhur për shkak të qëndrimeve të tij institucionale, s’ka pasur lidhje as me ushtrimin e kompetencave të tij si kryetar i shtetit, por në një fjalim parlamentar që kishte nisur si një homazh për gjyqtarin e ndjerë Skerdilajd Konomi, Fatmir Xhafaj si gjithmonë e ka lidhur vrasjen me pista politike dhe në mënyrë suprizë ka përfshirë në këtë pistë edhe Bamir Topin. “Të shtunën në Vlorë, pranë trupit të copëtuar të magjistratit Konomi mungonte kryeministri i vendit, njeriu i qokave pa shkak, e nis frazën Xhafaj, por më pas, pasi konsumon edhe disa akuza të tjera “të rastit” ndaj kryeministrit Berisha, shpërthen: “Edhe kreu i shtetit nuk u ndodh në atë ceremoni mortore që ishte më shumë se aq, ishte një ceremoni mesazh përball krimit e kriminelëve që synonin gjunjëzimin e shtetit. Është kryetar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, pra një nga aktorët më të rëndësishëm të sistemit të drejtësisë. Si i tillë, magjistrati i ndjerë Konomi e meritonte një grusht dhe edhe nga dora presidenciale. Kësaj here, kreu i shtetit foli jo me heshtje siç bën zakonisht, por foli me mospraninë e tij”, tha Fatmir Xhafaj.
Xhafaj është një njeri shumë i njohur për qarqet e drejtësisë në Vlorë, bile disa herë në parlament a në media ai ka treguar se është i familjarizuar edhe më çështjet e diskutimeve për pronësinë në Durrës a gjetkë. Ai, për shkak të detyrës, apo të angazhimeve të tij të tjera, njeh indet e sistemit të drejtësisë, marrëdhëniet e gjyqtarëve me avokatët, shkallën e ndikimit të tyre e rrjedhimisht edhe ka lexuar diçka më shumë se publiku i gjerë tek ngjarja e rëndë e vrasjes së gjyqtarit Konomi. Afërmendsh, deputeti Xhafaj mund të jetë ndoshta njeriu më kredibël për të artikuluar qëndrimin e Partisë Socialiste në këtë rast... Dhe duket se qëndrimi i PS-së dje ka qenë një risi për skenën politike. Për herë të parë është sulmuar publikisht Bamir Topi e jo për një qëndrim politik dosido, apo për ndonjë mospëlqim në qëndrimet e tij, por për “mospraninë” në ceremoninë e varrimit të Skerdilajd Konomit. Dalja publike kundër Bamir Topit ishte një risi për linjën politike të PS-së. S’dihet nëse ajo ka lidhje me klasifikimin e presidentit në detyrë si një njeri “politikisht” të mbaruar e prandaj edhe si një barrë për t’u hequr qafe, por historia e re e politikës dhe përpjekjet e stërmundimshme të entourage-it të Edi Ramës dhe posaçërisht e vrasësve me pagesë që ai mban në publicistikë për të kushtëzuar procesin e integrimit të vendit me mbajtjen në post të Bamir Topit, nuk e sponsorizon shumë këtë tezë. Mbetet pra se sulmi i PS-së ndaj Bamir Topit të ketë lidhje vetëm me çështjen Konomi, dhe kur këto akuza i artikulon një njeri i familjarizuar me qarqet okulte të drejtësisë si Fatmir Xhafaj, ky arsyetim fiton dyfish peshë.
Gjithsesi, dje është regjistruar sulmi publik i socialistëve ndaj Bamir Topit, dhe akuza se ai si kryetar i KLD-së s’guxoi të hedhë një grusht dhe mbi varrin e të ndjerit, prandaj edhe kureshtarët e shumtë ndoshta duhet të presin një dalje tjetër të Xhafës që të kuptohet se ku qendron protesta e vërtetë e socialistëve ndaj Bamir Topit lidhur me qëndrimin e tij pas vrasjes së gjyqtarit Konomi.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›