“Të fillojë menjëherë reforma zgjedhore, bazuar në rekomandimet e OSBE/ODIHR”
Kreu i LSI-së Ilir Meta takon kreun e Misionit të Vëzhguesve, Jonathan Stonestreet
Kryetari i LSI-së priti sot një delegacion ekspertësh të OSBE-ODIHR-it, të kryesuar nga shefi i Misionit të Vëzhguesve për zgjedhjet vendore të 8-majit, Jonathan Stonestreet
Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta priti dje një delegacion ekspertësh të OSBE-ODIHR-it, të kryesuar nga shefi i Misionit të Vëzhguesve për zgjedhjet vendore të 8-majit, Jonathan Stonestreet. Në këtë takim u shkëmbyen mendime lidhur me të ardhmen e proceseve zgjedhore në Shqipëri. Në një prononcim për mediat menjëherë pas takimit, kreu i Lëvizjes Socialiste për Integrim u shpreh se i ka shprehur Stonestreet angazhimin e LSI-së për të kontribuar në fillimin e menjëhershëm të reformës zgjedhore, bazuar mbi rekomandimet e OSBE-ODIHR-it, si për zgjedhjet e fundit parlamentare të qershorit 2009 ashtu edhe për zgjedhjet vendore të 8 majit të këtij viti.
“Ne besojmë se janë të gjitha mundësitë për të ecur shpejt përpara në një proces transparent, në një proces gjithëpërfshirës, jo vetëm të partive parlamentare por edhe të partive jo parlamentare, të shoqërisë civile e të ekspertëve pasi është shumë e rëndësishme për të rritur më tej besimin e qytetarëve tek zgjedhjet dhe tek vota e tyre, për të realizuar një standard më të lartë transparence të reformës zgjedhore”, tha ndër të tjera kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta.