E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha: Qeveria e vendosur të rrisë pagat për mësuesit

Kryeministri Berisha përsërit faktin se qeveria shqiptare është e vendosur të zbatojë programin e saj dhe se më 1 maj do të rriten pagat për mësuesit. Edhe pse para pak kohësh, FMN është shprehur hapur kundër kësaj lëvizjeje të qeverisë, pasi në një kohë kur efektet e krizës globale po ndjehen në Shqipëri, mbajtja nën kontroll e shpenzimeve për të mos thelluar deficitin buxhetor, vlerësohet si një masë parandaluese, kreu i qeverisë deklaron rritjen e pagave të mësuesve përmes grumbullimit të të ardhurave në buxhet. Është e vërtetë që ka një krizë botërore, kjo është reale dhe e pamohueshme.  Është e vërtetë që kjo krizë ndikon edhe tek ne, por, nga ana tjetër, është e vërtetë që kjo krizë nuk ndikon tek ne në atë shkallë që ne të mos zbatojmë programin tonë. Ndaj, me 1 maj gjithë mësuesit do të kenë rrogat e ngritura, u shpreh kryeministri Berisha. Gjatë vizitës në shkollën e re 9- vjeçare, Neim Babameto, në Spitallë, kryeministri Berisha u shpreh se rindërtimi tërësor i infrastrukturës arsimore, modernizimi i procesit të mësimdhënies dhe orientimi i arsimit drejt tregut janë objektiva prioritare të qeverisë. Një vend i lirë është vend i lirë dhe u jep të rinjve mundësinë e mësimit dhe të studimit. Ne po hapim shkolla profesionale, por ende mbetet problem fakti që nxënësit dhe prindërit nuk janë të prirur drejt arsimit profesional. Por, ne duhet të punojmë bashkërisht me nxënësit në klasën e 8-të apo të 9-të, me qëllim që ti nxisim dëshirën për të ndjekur arsimin profesional", u shpreh kreu i qeverisë. Ndër të tjera, gjatë fjalës së tij, kreu i qeverisë ka garantuar banorët se parku i Porto Romanos nuk do të shkaktojë ndotje.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›