E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mali i Zi, kundër centralit bërthamor afër Shkodrës

Ndërkohë që në fund të këtij muaji pritet që kryeministri Berisha dhe ai i Kroacisë, Ivo Sanader të nënshkruajnë një marrëveshje për ndërtimin e përbashkët të centralit bërthamor afër Shkodrës, pranë kufirit të Shqipërisë me Malin e Zi, zëvendësministri i mjedisit, Sinisha Stankoviq deklaroi se Mali i Zi nuk ka mekanizma për ndërtimin e një objekti të tillë në afërsi të kufirit të vet. Gjithashtu, ai ndërkaq i paralajmëroi autoritetet në Tiranë, se Shqipëria rrezikon marrëdhëniet e mira me Malin e Zi, nëse vendos pa miratimin e Podgoricës për ndërtimin e centralit bërthamor. Autoritetet në Podgoricë thonë se nuk kanë marrë ftesë për pjesëmarrje në projektin për ndërtimin e centralit bërthamor në brigjet e liqenit të Shkodrës, një pjesë e të cilit ndodhet në territorin e Malit të Zi. Ministria malazeze e Turizmit dhe Mjedisit Jetësor kujton se në Mal të Zi ka një ligj që e ndalon ndërtimin e objekteve bërthamore, miratuar në vitin 1995. Nga ana tjetër, Mali i Zi shpreson se në atë rast nuk do të thyhen konventat ndërkombëtare, sipas të cilave, vendi, i cili planifikon të ndërtojë objekt, i cili mund të ndikojë në mjedisin jetësor jashtë kufijve të vet, duhet të marrë miratimin nga të gjitha shtetet potencialisht të rrezikuara nga ndërtimi i objektit. Centrali do të kushtojë rreth katër miliardë euro, ndërsa kapaciteti i tij do të jetë rreth 1.500 megavat. Ndërtimi do t'i besohet "Elektroekonomisë kroate" dhe pjesa më e madhe e energjisë së prodhuar do të shkojë në Kroaci.

Last Updated on Tuesday, 14 April 2009 22:34

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›