E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha, apel kryekomunarëve për zbatimin e skemës së rimbursimit të kartave

Kryekomunarët do të blejnë kuponët për familjet me ndihmë ekonomike
Kryeministri i vendit, Sali Berisha ka bërë thirrje për pajisjen e qytetarëve me letërnjoftime elektronike si dhe për marrjen e këtyre të fundit nga shtetasit që kanë aplikuar. Pas inaugurimit të një shkolle në periferinë e Durrësit, kryeministri u kërkoi kryetarëve të komunave të zbatojnë me korrektësi vendimin e qeverisë për skemën e rimbursimit të kategorisë, që merr ndihmë sociale. Të marrim letërnjoftimet për ti treguar vetës dhe botës se ne tani kemi dokumentet e identitetit më moderne në Evropë. I bëj thirrje autoriteteve lokale që, në përputhje me vendimin e qeverisë, të blejnë menjëherë kuponin e letërnjoftimit për të gjithë qytetarët që janë me ndihmë ekonomike. Sapo të paraqesin dokumentet, qeveria do të paguajë për gjithsecilin prej tyre dhjetë mijë lekë të vjetra, ka theksuar kreu i qeverisë, duke deklaruar se qeveria për secilin prej tyre do të paguajë 10 mijë lekë. Për këtë shtresë dhe për pensionistët, letërnjoftimet do të kushtojnë 200 lekë të reja, por ndryshe nga ata që marrin ndihmë sociale, pensionistët do të rimbursohen më 1 maj. I bëj thirrje pensionistëve të marrin letërnjoftimet dhe i garantoj se qeveria, në pensionet e 1 majit, përveç shtesës së madhe që do të bëjë, për pensionet minimale do të vendosë edhe dhjetë mijë lekë të vjetra shtesë për kartën e identitetit, ka theksuar kryeministri.Po ashtu, kreu i qeverisë u ka bërë thirrje autoriteteve vendore dhe prefektëve, që të regjistrojnë të gjithë komunitetin rom dhe egjiptian që nuk janë në skemat e ndihmës sociale, në mënyrë që në përputhje me vendimin e qeverisë të marrin falas kartën e identitetit. Sipas Berishës, përveç zgjedhjeve, pajisja me dokumente të reja të identitetit, ka rëndësi kryesore edhe për liberalizimin e vizave. Unë jam këtu për tu angazhuar para jush se rrugën do ta vazhdojmë po me kaq seriozitet dhe po me kaq vendosmëri drejt integrimit në Bashkimin Evropian. Pra, le të marrim letërnjoftimet dhe pasaportat biometrike dhe ju garantoj se vizat do të hiqen dhe do të lëvizni të lirë në mbarë Evropën, ka theksuar kreu i qeverisë, i cili ka vlerësuar anëtarësimin në NATO si arritje historike pas ditës së pavarësisë.
Qeveria mbështet arsimin profesional
Sipas kryeministrit Berisha, mentaliteti dhe standardet europiane mund të arrihen nëpërmjet dijes dhe për këtë arsye ai tha se gjatë këtij mandati arsimimi, ndërtimi i shkollave të reja, kabinetet informatike dhe interneti në shkolla kanë zënë vend të rëndësishëm të punës së qeverisë. Gjatë fjalës së tij, në ceremoninë e inaugurimit të përurimit të shkollës së mesme profesionale Beqir Çela, në Shkozet e ka cilësuar këtë shkollë një ndër më të mirat në vend. Duke vlerësuar arsimin profesional tepër të rëndësishëm për tregun e punës, kreu i qeverisë siguroi se qeveria do të mbështes fuqishëm këtë shkollë, në mënyrë që të rritet numri i nxënësve, të cilët sipas tij  marrin pjesë për profesionet më të kërkuara në vend. Gjithashtu, do të bëjmë çdo përpjekje që arsimi profesional ti ketë dyert e hapura mbi bazën e koeficienteve të ndershëm për në universitetet e vendit dhe në ato të huaja, ka theksuar kreu i qeverisë, i cili inspektoi edhe punimet për ndërtimin e konviktit të ri të kësaj shkolle dhe rikonstruksionin e konviktit ekzistues me vlerë rreth 46 milionë lekë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›