Bogdani dhe grupi Rinor i PD, vizitojnë aksin rrugor Rrëshen- Kalimash
Anëtarë të Forumit Rinor të Partisë Demokratike kanë parë nga afër ecurinë e punimeve në autostradën Rrëshen-Kalimash. Mëse 200 të rinj e të reja, të udhëhequr nga kreu i Forumit Rinor të PD-së, Gerti Bogdani kanë vizituar disa nga pjesët e rrugës Durrës-Kukës- Morinë, ku janë ndaluar në Reps e më andej në tunelin e Kalimashit. Në emër të të rinjve të partisë Demokratike, Bogdani tha se kjo autostradë tregon se i ka ardhur fundi i rrugëve të ngushta e problematike dhe është shprehur se kjo rrugë do të trashëgohet brez pas brezi si një pasuri kombëtare, që shënon një standard të ri në infrastrukturën shqiptare.
Është krenari që vijmë këtu të shohim këtë vepër kaq të mrekullueshme, një vepër që do ti mbetet brezave dhe kombit shqiptar për vitet që vijnë, si një standard i ri i vendosur në zhvillimin e Shqipërisë. Jemi dëshmitarë të standardeve të reja, me të cilat Shqipëria po zhvillohet, në autostradën ku po ecën si anëtare e NATO-s, drejt Bashkimit Europian, ka theksuar ai, duke shtuar se të rinjtë shqiptarë duhet të jenë me fat dhe krenarë, që janë dëshmitarë të kësaj vepre madhështore. Njëra nga pjesët, që ngjalli më shumë interes për anëtarët e Forumit Rinor të partisë Demokratike ishin dy galeritë, që përbëjnë tunelet, nga më të mëdhenj në zonën e Ballkanit, ata në pjesën Rrëshen Kalimash, të këtij aksi, i cili është cilësuar si edhe nga më të vështirët për pasojë të terrenit të egër malor. Kjo autostradë, do të jetë mbi të gjitha lidhja e re dhe më e lehtë midis shqiptarëve dhe veçanërisht e të rinjve shqiptarë kudo që ndodhen në të ardhmen e tyre të përbashkët.