Topalli- Wisner: Prioriteti i qeverisë, zgjedhjet sipas standardeve evropiane
Kryetarja e Parlamentit, Jozefina Topalli gjatë një takimi të zhvilluar me diplomatin e mirënjohur amerikan Frank Wisner, i cilësoi zgjedhjet e ardhshme si zgjedhjet që do ta ndajnë Shqipërinë nga e kaluara e proceseve zgjedhore. Prioriteti ynë kryesor është që Shqipëria të ketë zgjedhjet më të mira, me një infrastrukturë moderne zgjedhore dhe me vullnetin tonë të fortë, që ato të jenë plotësisht të standardeve evropiane, vlerësoi Topalli. Ndër të tjera, ajo falënderoi Wisner për mbështetjen e pazëvendësueshme të SHBA-së për Kosovën dhe Shqipërinë.
Anëtarësimi i Shqipërisë në NATO ishte një ngjarje epokale për Shqipërinë, vend që ka vetëm 17 vjet që është ndarë nga regjimi totalitar dhe mbështetja e NATO-s ka qenë dhe mbetet shumë e rëndësishme për të gjithë Ballkanin, u shpreh ajo. Nga ana e tij, ambasadori Frank Wisner, ish i dërguar special i DASH, të Kosovës duke i përcjellë kryetares së Kuvendit, përgëzimet për anëtarësimin e vendit në NATO, theksoi se bashkëpunimi Shqipëri- Amerikë do të jetë më i fortë dhe intensiv. Duke e cilësuar si të jashtëzakonshme ngjitjen e Shqipërisë, Wisner e vlerësoi këtë transformim si mrekullia e madhe e historisë së mbijetesës së Shqipërisë. Ndër të tjera gjatë këtij takimi, Wisner falënderoi qeverinë për rolin e Shqipërisë në pavarësinë e Kosovës, si dhe për influencën e saj në forcimin e stabilitetit të Ballkanit. Ne kemi nevojë për ju, Ballkani ka nevojë për paqe të qëndrueshme dhe anëtarësimi i Shqipërisë në NATO do të këtë influencë në të gjithë rajonin ballkanik, theksoi diplomati i mirënjohur amerikan.