Fier, nis regjistrimi i popullsisë për zgjedhjet
Në Fier ka nisur puna në terren për regjistrimin e popullsisë, pas trajnimit 2-ditor të grupeve të regjistrimit, që kishte si qëllim, ngritjen e sistemit të adresave dhe saktësimin e regjistrave elektronikë të shtetasve. Drejtoresha e drejtorisë së informacionit në bashki, bën të ditur se afati i përfundimit të procesit të regjistrimit në terren do të zgjasë rreth 50 ditë. Sipas saj në këtë bashki funksionojnë 25 grupe pune, që janë shpërndarë në përpjesëtim të drejtë me numrin e popullsisë në 4 njësitë administrative të bashkisë.
Në çdo grup pune, një person është punonjës efektiv i bashkisë, ndërsa tjetri, i kontraktuar. Ndër të tjera, ajo thekson se krahas dokumentacionit ligjor, si harta e zonës, formularët e vendbanimit, regjistruesit janë pajisur me rregulloren bazë të punës në terren, ku jepet informacion i detajuar i rëndësisë së procesit, mënyrën e operimit, komunikimi dhe organizimit të punës. Gjithashtu, grupet e regjistrimit janë pajisur dhe me hartën, ku janë fiksuar informacioni i plotë mbi rrugët, emrat e tyre, ndërtesat, numrat e ndërtesave. Sipas saj mësohet se regjistruesit do të plotësojnë formularin tip të vendbanimit, përgatitur nga Ministria e Brendshme, duke e korresponduar atë me hartën e zonës. Formulari do të plotësohet në mënyrë të detajuar me të gjitha të dhënat, që saktësojnë në mënyrë të pakontestueshme sistemin e adresave dhe regjistrin elektronik të shtetasve.