Një lexim për sfidat e medias së lirë në 2009-n
Ndoshta shumëkush mund të lemeriset nga pyetja në titullin e këtij shkrimi. Por ne jo, duke qenë aktivisht bashkëlexues të një realiteti, ne e lexojmë atë pa drojtje. Sepse vetë qenia juaj i rreshtuar si lexues i përpiktë i gazetës na bën me dije se dëshironi me diktue sfidat e mundshme që na presim në këtë vit të sapohyrë. Të mos humbim kohë. Por kujdes nuk do t’i biem shkurt asnjëherë, sepse jemi të mendimit se bashkë kemi një mision civil, që t’u shpjegojmë betejat me të cilët përballemi, me deklarue gjithmonë njësoj të vërtetën. Vini re: jetojmë në një kohë ku djallëzia e fjalëve të shkruara ka marrë tatëpjetë dhe thënia e së vërtetës bëhet gjithmonë një akt “revolucionar”. Ne do ta bëjmë lexues. Bashkë me ju. Ne shohim tek padrejtësitë shoqërore, tek varfëria, pabarazia, injoranca, dhuna e korrupsioni, armiqtë e përbashkët të demokracisë ende të brishtë shqiptare. Ku tek çdo padrejtësi të gjejmë arsyen për të qenë pjesë e betejës së demokratizimit qelizor të shoqërisë sonë. Sfida kryesore për të cilën luftojmë pareshtur është inkurajimi i angazhimit qytetar dhe humanitar si një synim i patjetërsueshëm i një demokrati.
Shtegu i radhitjes së detyrave që na presin si qytetarë të përgjegjshëm është vetëdija kurdisëse dhe përpara sfidave kërkohet një energji e pazakontë. Ne e kemi në ADN si demokratë. Ne do të përpiqemi kurdoherë, pa asnjë paragjykim, rrugë e ide novatore me fitue sfidat e reja, me qenë në lartësinë e misionit që na keni deleguar ne duhet të jemi rrufepritës në funksion të objektivave që kemi bashkëshpallur: dekomunistizimin e shoqërisë. Cilido që e konsideron veten demokrat duhet të luftojë që shoqëria shqiptare si unike të vlerësojë lart drejtësinë, sigurinë dhe integrimin në të gjitha shtresat dhe fazat e saj, si shprehje e domosdoshme e personalitetit, mençurisë dhe energjisë pozitive të njeriut. Shoqëria na dëften kurdodritë siluetat e së vërtetës. “E vërteta është e kapshme, kërkimi i së vërtetës është detyrim” - intrigonte nobelisti britanik Harold Pinter.
E pra sfida e natyrshme e një demokrati liberal është që ai të bëhet flamurtar i promovimit të biznesit të vogël e të mesëm dhe të garantojë trajtim e drejtë e të ekuilibruar për sipërmarrësit e mëdhenj. Tabloja e trishtueshme që dikur mbizotëronte nëpër dyert e Shqiptarëve, po ndryshon në mënyrë impresionante në të gjithë kompleksitetin e saj. S’do mend: ka akoma punë për të bërë dhe këtu hyni në lojë ju bashkëlexues dhe bashkëqytetarë, që me kritikën tuaj, me angazhimin e sipërmarrjes suaj morale diçka do të shërojmë. Pa mëdyshje!
Së pari ne besojmë në forcat tona. Së dyti aleati jonë gjenetik është Oksidenti. A jeni me ne? Mendoj se po. Gjykoj se po. Interpretoj se po. Ky është triniteti i një demokrati të vërtetë: mendo, gjyko, interpreto. Sfida e një demokrati është katërcipërisht kundër formave të kapitalizmit xhunglesk, ku logjikën e tregut e dikton informaliteti, arbitrariteti, dhuna, dhe ku konkurrencën e lirë e atrofizojnë klientët e papërgjegjshëm të pushtetit. Jemi të vetëdijshëm se Demokracia jonë, ende e brishtë ka nevojë për ju që të bëjmë një shtet modern, i cili të nxisë sistematikisht shpirtin krijues dhe rritjen e cilësisë së jetës, të edukimit, të mjedisit, të bashkëjetesës qytetare e demokratike. Kemi në zemër betejën e dekomunstizimit të shoqërisë nga praktikat e saj, nga njerëzit që i besuan paktit me djallin dhe u shartuan me të, nëse sfidojmë në betejë të kaluarën tonë atëherë do jetë koha e përshtatshme për një ripërtëritjen morale përmes dëftimit real se të cilët kemi qenë përgjatë diktaturës dhe kështu afërmendsh pastaj ngrihet respektit për të drejtat e liritë njerëzore dhe për Kushtetutën e ligjin. O milet, mbani mend siç rrëfente Ismail Kadareja, tek romani “Kundërajrori”, “...se kjo është koha e të paudhit. Çdo gjë në këtë kohë bëhet së prapthi. Sa të ikte Xhekoja, do ta pyesja gjyshen. Përse ai nuk kishte udhë? Ku ecte dhe kush e ndalonte të ecte nëpër udhë?”. Besoj se u kuptuam. Sfida jonë është rritja e vlerës së shumanshme të informacionit përmes punës sonë të lirë. Siç dihet: informacioni sjell njohje dhe njohje padyshim sjell dituri: ahere lexues, behu i ditur të jesh i lirë. Ky është kriteri dhe prioriteti jonë.