E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: Qeveria gati për transparencë europiane

TIRANE- Pas kthimit nga Brukseli, ku dorëzoi përgjigjet e pyetësorit të Bashkimit Europian, kryeministri Berisha sqaron përmes një konference për mediat detajet e takimeve të zhvilluara në kuadër të rrugëtimit të vendit drejt BE.

“Në Bruksel shkova për të paraqitur përpara Komisionit Europian librin e të vërtetave më të mëdha shqiptare, që përmban të gjitha të vërtetat e Shqipërisë dhe shqiptarëve këto 18 vite, përmban të gjitha ligjet, praktikën ,reformat, me të cilat shqiptarët ndërtuan demokracinë funksionale, idealin e tyre europian ” u shpreh kreu i qeverisë.

Ndërsa bëri një paralelizëm të vizitës së tij në Bruksel me atë të 18 viteve më parë, kryeministri theksoi arritjet e mëdha të vendit, arritje që sic tha ai po plotësojnë të gjitha kushtet për liberalizimin e vizave dhe për anëtaresimin e plotë të vendit në BE.

“Në vizitën time të parë në Bruksel mund të thuhet pa ekzagjeruar se në disa aspekte vendi ndodhej edhe shekuj larg Brukselit dhe vendeve anëtare të Bashkimit Europian. Pas 18 vitesh , unë në Bruksel përfaqësova një vend anëtar të NATO-s, të Këshillit të Europës, që ka firmosur marrëveshjen e stabilizim asocimit. Përfaqësova një vend që bëri zgjedhje të lira e të ndershme, një vend që i rezistoi krizës ekonomike” theksoi Berisha.

Duke ju referuar deklaratave të personaliteteve më të larta të KE-së, Berisha vlerësoi angazhimin e komisionerit Fule për shqyrtimin me vëmendje të përgjigjeve të pyetjeve nga autoritetet shqiptare.

Kryeministri theksoi se gjatë vizitës së tij në Bruksel informoi personalitetet më të larta europiane se qeveria do bëjë çdo përpjekje për të zgjidhur ngërcin politik, sic tha ai duke respektuar Kushtetutën e vendit dhe transparencën e formës europiane.

“Hapësira për zgjidhjen e krizës është e plotë, e gjerë dhe totale, në rast se opozita është e interesuar që të bëjë transprencën. Institucionet demokratike të këtij vendi kanë të gjitha proceduarat jo vetëm për të hapur kutitë por dhe kasafortat më sekrete të këtij shteti. E rëndësishme është ti përmbahesh Kushtetutës dhe rregullave të shtetit ligjor” u shpreh Berisha.

I pyetur për protestën e pritshme të opozitës, Berisha theksoi se sheshet e Shqipërisë janë të hapura për të gjithë.
“Qeveria ështe e detyruar të garantojë mbarëvajtjen e protestave” u shpreh kreu i qeverisë.
(e.n/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›