Gjestet e Totit kundër Lacios, polemika në Itali
ROME- Roma fitoi 2-1 në derbin me Lacion, por polemikat për këtë ndeshje kapën kulmin, pas gjesteve të bëra nga kapiteni verdhekuq në fund të 90 minutëshit. Tensioni në këtë takim ndjehej që në minutat e para, pasi Lacio dëshironte t’i prishte festën skuadrës rivale të qytetit, megjithatë golat e Mirko Vuçiniç në pjesën e dytë, përmbysën avantazhin e përkohshëm të Tomazo Rokit. Pas takimit, trajneri i Lacios Edi Reja ka dënuar gjestet e Totit, duke kërkuar nga gjykatësi sportiv që ta dënojë 10 javë kapitenin verdhekuq. Ndërkohë, një reagim i ashpër ka ardhur nga drejtori sportiv i Lacios, ish-kapiteni i kombëtares shqiptare Igli Tare, që e ka quajtur sjellje të padenjë dhe jo profesioniste atë të numrit 10 të Romës. “Toti nuk meriton aspak respekt për atë që ka bërë, është një gjest shumë i ulët”, deklaroi Tare. Ndërkohë menjëherë pas këtyre deklaratave, ka ardhur edhe ndjesa e kërkuar prej Françesko Totit. “Nuk doja të ofendoja askënd, por thjesht më kapi euforia e fitores”, është shprehur kapiteni në një deklaratë për mediat. Gjithsesi, gjykatësi sportiv ka nisur tashmë një hetim për gjestet e Françesko Totit. Me fitoren kundër Lacios, Roma bëri një tjetër hap të sigurt drejt titullit kampion, pasi kaloi ndoshta pengesën më të vështirë. Javën e ardhshme, skuadra e Ranierit do të presë në “Olimpiko” Sampdorian, kundërshtaren më të fortë në këto 4 javë të mbetura të Serisë A.
(e.n/A.Latifi/BalkanWeb)
(e.n/A.Latifi/BalkanWeb)