E Diel, 1 Nëntor 2026

Skandal seksual në Kombëtaren Franceze

PARIS- Një skandal seksual ka përfshirë kombëtaren franceze dhe sidomos yllin e kësaj skuadre Frenk Riberi, vetëm 50 ditë nga nisja e Kupës së Botës. Mesfushori i Bajernit ka përfunduar në qendër të ciklonit për shkak të raporteve të shpeshta me një prostitutë të klasit të lartë, e cila ka rezultuar minorene. Riberi ka mohuar të jetë në dijeni të moshës së saj, por skandali ka marrë përmasa të jashtëzakonshme. Autoritetet kanë marrë në pyetje edhe Sidnej Guvu, sulmuesin e Lionit, si person në dijeni të fakteve, ndërkohë që mediat në Francë hedhin dyshime se në hetim janë të përfshirë të tjerë futbollistë të kombëtares. Në qendër të hetimeve është lokali i natës Zaman, ku një person 30 vjeçar i quajtur Abu, bënte marrëveshje mes vajzave kryesisht nga Afrika e Jugut dhe klientëve VIP. Riberi ishte bërë klient i këtij klubi, duke frekuentuar një prostitutë minorene me origjinë nga Maroku. Ai i ka paguar asaj edhe avionë privatë për ta marrë në Gjermani. Nga kjo ka përfituar edhe sulmuesi Sidnej Guvu, por ky i fundit ka nisur të kryejë raporte me vajzën kur ajo kishte mbushur moshën 18 vjeç. Tashmë në Francë janë arrestuar 4 persona, ndërkohë që avokati i Frenk Riberi ka pranuar përfshirjen e klientit të tij në këtë skandal, por gjithsesi e ka quajtur çështjen private. Në rast se Prokuroria do të vërtetojë se Riberi ishte në dijeni të moshës së vajzës, futbollisti i Bajernit të Mynihut rrezikon deri në 3 vjet burg dhe 45 mijë euro gjobë. Ndërkohë mediat në Francë kanë folur si të përfshirë në këtë skandal prostitucioni sulmuesin e Realit Karim Benzema, por agjenti i këtij të fundit ka përgënjeshtruar gjithçka, duke thënë se është ngatërruar person, si edhe duke përmendur mesfushorin e Marsejës Hatem Ben Arfa apo atë të Arsenalit Samir Nasri. Skandali me drita të kuqe, edhe në rast se nuk do të ketë pasoja penale për lojtarët e Francës, duket se ka ndikuar që tani në raportet e tyre me tifozët.
(e.n/A.Latifi/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›