Berisha: Qeveria ime s‘do të ketë imunitet
Ministrat e mi do të jenë pa imunitet. Kjo ishte deklarata nëpërmjet së cilës Kryeministri Sali Berisha ka dalë garant se ministrat e tij "të rinj" janë të pastër përpara drejtësisë dhe të hapur për t‘u kontrolluar nga ajo sa herë të kërkohet diçka e tillë. "Unë kam një marrëveshje me PR-në si çdo qeverisje. Nuk mund të diktoja emrin e kandidatit për ministër që do më sillte Partia Republikane. Ka pasur një akuzë për korrupsion. Kjo akuzë në finalizim ra. Ka një akuzë për shpërdorim detyre. Unë ju garantoj ju, se kjo qeveri dhe kjo mazhorancë do të zbatojë çdo vendim të drejtësisë. Dhe duhet të jem shumë i qartë se për qeverinë time, imuniteti nuk ekziston. Mendoj se paragjykimi nuk i shërben askujt. Akuza e madhe ra vetë nga ata që e nisën", tha Berisha, duke komentuar debatet për emrin e Mediut. Po kështu Kryeministri Berisha e përqendroi vëmendjen te çështja e heqjes së vizave, ku ua atribuoi misionin e ministrit të Jashtëm dhe atij të Brendshëm reformave në shëndetësi, ku demokratët dhe LSI do të ndjekin për këtë çështje modelin gjerman dhe luftën ndaj krimit dhe korrupsionit. "Vizat do të liberalizohen në vitin e parë të mandatit tonë të dytë qeverisës", tha Berisha. Kryeministri shprehu vlerësime për shefin e ri të diplomacisë, duke thënë se "kam besim te Meta, i cili ka një eksperiencë të gjatë me marrëdhëniet ndërkombëtare dhe ka edhe të gjithë peshën e zv/kryeministrit. Do të jetë një promotor. Politika e Jashtme ka dhe do ketë si integrim më madhor integrimin e Shqipërisë". Berisha theksoi gjithashtu se nuk ka ekzistuar asnjë ujdi në të shkuarën mes tij dhe Metës. "Kimizmi Meta-Basha është shumë premtues që ata këtë proces të rëndësishëm ta nxjerrin në krye me sukses", tha Berisha. Gjatë mandatit të dytë, qeveria "Berisha" ka si synim heqjen e sistemit të vizave me BE brenda 365 ditëve të para të mandatit qeveritar dhe hapjen e negociatave për anëtarësim të plotë në BE. "Bashkë me Petrit Vasilin, ministrin e ri të Shëndetësisë, do të bëjmë reformat më të mira për sistemin shëndetësor", ka qenë mesazhi i Kryeministrit Berisha. Në programin e qeverisë është përcaktuar inkurajimi i sektorit shëndetësor nëpërmjet lehtësirave fiskale dhe investimeve për teknologji moderne për spitalet dhe qendrat shëndetësore. Kryeministri premtoi se qeveria e tij do të vazhdojë betejën kundër krimit dhe korrupsionit. Qeveria e re pritet të reformojë të gjitha procedurat në të gjithë sektorët ku shfaqen ende fenomene korrupsioni. Berisha theksoi se programi i qeverisë do të jetë gati në Parlament 10 ditë pas dekretimit nga Presidenti. Duke përmendur disa nga reformat e para të qeverisë së re, Berisha tha se lufta kundër korrupsionit dhe kursimi do të jenë prioritet. Ai përmendi krijimin e një ligji të ri për përdorimin e automjeteve, që sipas tij do ta përdorin vetëm krerët e institucioneve kushtetuese. Berisha përmendi dhe reformën e informalitetit. Qeveria e re duhet të dorëzojë brenda datës 19 në Kuvend programin e saj me reformat.