E Diel, 1 Nëntor 2026

PETICIONI I GERDECIT

Një peticion analistësh të shtypit shqiptar i është drejtuar Kryeministrit të Shqipërisë me lutjen apo thirrjen për të mos e emëruar Mediun në kabinetin e ri. Që në momentin e parë, të gjithë njëzëri duhet të themi: Faleminderit! Shoqërisë shqiptare nuk i paskan ngordhur fare qelizat dhe është e reagueshme kur limitet tejkalohen aty ku s‘mban më. Ky është një peticion i të gjithëve dhe duhet të jetë i çdo shqiptari, sepse tragjedia e Gërdecit nuk është vetëm e atyre fatkëqijve që humbën jetën dhe familjarët. Gërdeci nuk është histori vetëm e gërdecarëve, por është një histori personale shqiptare, është e gjithsecilit prej nesh, sepse aty apo diku tjetër, mund të ishte çdo shqiptar që niset për në punë për të siguruar bukën e gojës.

Ky peticion është një nismë për t‘u përshëndetur, sepse në fund të fundit e vendos median në rolin që i takon dhe e bën përgjegjëse për pushtetin që ka. Por... ka disa "por"-e të mëdha e të vogla që vijojnë si më poshtë:

Peticioni është një thirrje e vonuar. Për të mos shkuar më herët, por të paktën në momentin e formimit të koalicioneve, kur Berisha doli krah për krah me Mediun, zëri mediatik, në mos në formë peticionesh, por të paktën analizash e debatesh televizivë, duhet të ishte më i fuqishëm se kurrë. Në fakt, marrëveshja e re Berisha-Mediu u përcoll veçse si lajm dhe absolutisht si një lajm i keq, ogurzi, që Sali Berisha as përgjegjësi politike, as morale nuk kërkon të mbajë për Gërdecin. As nuk u trajtuan arsyet pse e bëri këtë hap, kur vetëm pak muaj më parë, vetëm për 4 minuta kishte shkarkuar me mburrje një ministër që nuk vrau askënd, por kërkonte të kryente marrëdhënie seksuale me këdo që shihte në derën e ministrisë (një veprim alarmant dhe i dënueshëm, që e kemi trajtuar në shkrime të tjera, gjithsesi).

Aleanca e Berishës me Mediun, në prag të 28 qershorit, u trajtua thjesht si një zgjedhje e Berishës, pa u analizuar shkaqet. Dhe sot nuk kemi pse habitemi që, përderisa e futi në koalicion para 28 qershorit dhe shoqëria nuk reagoi, s‘ka pse të mos e shpërblejë pas 28 qershorit. Shkaku i parë dhe i fundit, pse Berisha e Mediu janë ende bashkë, nuk ishte miqësia e Berishës me Mediun, as pragmatizmi i tij për koalicion të gjerë, por thjesht dhe vetëm përlyerja totale e familjes së Kryeministrit në këtë histori.

Duke mbajtur pranë Mediun, Berisha thjesht po mbronte veten. Përderisa ai fitoi të drejtën të mandatojë qeverinë e re, askush nuk besoj se priste të përzinte me shkelma Mediun jashtë llokmës së pushtetit. Por nëse Berisha, dje, do të vihej përballë këtij presioni që po vihet sot, ndoshta do kishim arritur më shpejt në shkaqet e "Gërdecit" dhe kjo nuk është thjesht një hipotezë vjeshte me shi, por është nga ato të llojit që ndryshon historinë dhe rrjedhën e ngjarjeve. Sepse bashkë me Mediun nuk do kishte mundësi as Berisha të ishte aty ku është sot.

Përpos fakteve të shumta, që janë publikuar në media për Shkëlzen Berishën si sekser i Gërdecit, dalja e Sali Berishës në koalicion me Mediun duhet të mjaftonte për t‘i vënë vulën mendimit se kapoja i Gërdecit është kapoja i Shqipërisë sot. Media duhet të kishte vënë kujën. Megjithatë, më mirë vonë se kurrë dhe besoj se kjo iniciativë i hap dhe njëherë kapakun një historie, që nuk duhej mbyllur e që pa dyshim rëndon edhe mbi mediat. Shpresoj që presioni mbi Berishën, për të mos përfshirë Mediun në kabinet të mos përdoret thjesht nga Berisha për të larë duart me tragjedinë. Ky peticion nuk ma do mendja se është një letër për të shfajësuar Sali Berishën, për t‘i thënë atij: "Hiq Mediun dhe je në rregull me të tjerat". Sado media sot të jetë e zënë me standardet morale në Partinë Socialiste dhe frymën anti-Rama, besoj se pas këtij peticioni do të shkundet për të bërë punën që i takon, çuarjen deri në fund të një historie që, as e ashtuquajtura "Silvia Konti" nuk e përballoi dot.

Personalisht mendoj se, kur suporton dhe zgjedh Sali Berishën Kryeministër, duhet ta mbyllësh gojën për Gërdecin. Dhe sado disfatiste të duket kjo ide, është e vërteta që shumë nga ne e kanë pranuar publikisht sipas parimit: "Po fitove, je i zoti, s‘ka rëndësi si fiton".

Ne, shqiptarët, kemi një histori të dhimbshme me një njeri që fitoi zgjedhjet për 50 vjet me radhë dhe të thuash sot: "Bravo i qoftë Sali Berishës, bën çfarë bën, por zgjedhjet i fiton", është njësoj sikur t‘i thuash "bravo" edhe Enver Hoxhës. Megjithëse shoqëria mediatiko-intelektuale shqiptare ka gëlltitur bëmat dhe gjëmat e Sali Berishës pa u ndier, sot nuk është vonë në fakt për një kthesë rrënjësore, por është pak si shumë të hiqet si sqimatare e madhe që nuk duron dot Fatmir Mediun në qeveri. Sepse të gjitha rrugët e Gërdecit të çojnë në oborrin e Sali Berishës. Futja e Mediut në qeveri nuk ka aq për qëllim vlerësimin apo dhënien e një posti, por vulosjen me dyllë të korrupsionit kriminal të Berishës. Prandaj, nuk e di nëse ky peticion duhej t‘i drejtohej vërtet Sali Berishës! Po aq sa kam frikë se ai do të jetë një shërbim i vyer për Kryeministrin për të larë duart njëherë e mirë me Gërdecin. Berisha mund ta shfrytëzojë këtë presion të ri mediatik për të hequr qafe një havale, që s‘ka burrninë t‘ia bëjë vetë sy më sy, sepse në fund të fundit, tragjedia ku humbën 26 jetë është një pazar familjar i Berishës, dhe vetëm Mediu e Berisha e dinë mirë se ku filloi dhe mbaroi kjo tragjedi. Ne të tjerët dimë vetëm se ku mbaroi. Së dyti, duke i dhënë një justifikim në duar Berishës për të larguar pa dëm të madh Mediun, analistët nuk ma do mendja se kanë shpejtuar t‘i heqin nga dora një armë opozitës, madje shumë të fuqishme. Është koha që opozita duhet të bëjë atë që nuk e bëri tamam kur ndodhi Gërdeci. Sot, pasi opozita ka treguar se di të japë konsensusin për ngjarje të mëdha me karakter kombëtar, pasi zgjedhjet kanë ndodhur dhe Berisha ka nxjerrë dhe kriminelë nga burgjet për t‘i fituar ato, nuk ka më vend për ruajtje rregullash apo kujdes për NATO-n. Edhe Greqia vend i NATO-s është, por u ndez zjarr për shkak të një qeverisjeje të keqe.

Dhe tani më pikantja: ky peticion duhet të kishte qenë një nga kushtet e Ilir Metës para se të bënte marrëveshjen me Berishën. Sot gjithnjë e më qartë po del në pah, se irritimi ekstrem i Metës për Gërdecin, kërkimi i rrëzimit të Berishës me grusht shteti për këtë shkak, paskan qenë thjesht pallavra sa për t‘i treguar miletit se di të bëjë opozitë më të fortë se Rama. I zhytur sot në kolltukun që i dha Berisha, Meta nuk ka pasur as reagimin më të vogël se si do ndihej të ndante të njëjtën tavolinë qeverisëse me Mediun. Ky peticion është një shuplakë për atë vetë dhe mësimi i parë nga bashkëqeverisja me Berishën. Mësim jo vetëm për atë dhe LSI-në (nëse kjo forcë ende ekziston), por për këdo që shpreson se Ilir Meta do dijë të ruajë një farë integriteti brenda strofkullës së Berishës apo do dijë të jetë një opozitë brenda qeverisë. Mister njëzet-përqindëshi do të jetë dhe do të përdoret nga Berisha thjesht dhe vetëm si një megafon kundër Ramës dhe PS-së. Të tjerat di t‘i bëjë vetë Kryeministri i Shqipërisë.

Së fundi, mendoj se peticioni është një dritë e vogël shprese, qoftë edhe për hapjen e pikëpyetjeve të shumta rreth politikës dhe korrupsionit në Shqipëri, por sidomos hap siparin e një të vërtete që nuk duhej mbuluar. Dhe që nuk duhet mbyllur me mospjesëmarrjen e Mediut në qeverinë e ardhshme.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›