E Diel, 1 Nëntor 2026

Lohan: Politika bëhet në Parlament

Ndërkombëtarët lëshuan dje një tjetër sinjal të ashpër ndaj opozitës. Duke lënë mënjanë deklaratat konfidenciale dhe në rrugë diplomatike, krerët e kancelarive të akredituara në Tiranë fillojnë të artikulojnë publikisht kundërshtimin për bojkotimin e Kuvendit nga opozita. Ambasadori i Komisionit Europian në Shqipëri, Helmuth Lohan, tha dje se "debatet në demokraci bëhen në Parlament dhe jo jashtë tij". Diplomati i KE-së në Tiranë ishte i pranishëm në ceremoninë e përurimit të fazës B të zgjerimit të terminalit të aeroportit ndërkombëtar "Nënë Tereza" në Rinas, kur iu përgjigj interesimit të medias për komentet e tij rreth bojkotit të Partisë Socialiste ndaj Kuvendit, si dhe kushtëzimit nga kjo forcë politike të marrëdhënieve me Parlamentin. "Të gjithë e njohin qëndrimin e Komisionit Europian. Debatet në demokraci bëhen në Parlament dhe jo jashtë tij", tha Ambasadori Lohan. Faktori ndërkombëtar i akredituar në Tiranë prej ditësh po ushtronte "presion" ndaj opozitës për të thyer paralajmërimin e bojkotit të punimeve të Kuvendit. Dy ditë më parë, burimet diplomatike sqaruan për "Shqip" se ndërkombëtarët nuk pajtohen me mospjesëmarrjen në Kuvend, ndonëse mund ta mbështesin opozitën në disa prej pretendimeve të tyre. Duket se ajo çka i bashkon të gjithë ndërkombëtarët është fakti se një bojkot i Kuvendit në këtë moment ndikon negativisht në imazhin e Shqipërisë dhe në perspektivën e saj integruese. Në rrugë konfidenciale, diplomatët kanë kërkuar nga Partia Socialiste të shfrytëzojë të gjitha rrugët brenda institucioneve, duke shmangur bojkotin. Ky i fundit konsiderohet prej diplomacisë së huaj si një veprim ekstrem. Tri ditë më parë kreu i prezencës së OSBE-së në Tiranë, Robert Bosch, doli në një qëndrim të shkurtër, ku deklaronte se "debatet politike bëhen në Kuvend nisur dhe nga logjika që tejkalon qëndrimet personale të partive, që ka të bëjë me integrimin europian të vendit". Vetëm një ditë më vonë, një tjetër sinjal publik vjen nga kryediplomatja britanike e akredituar në Tiranë, Fiona McIlwham. "Për sa i përket bojkotit të opozitës, ka pasur një deklaratë të OSBE-së një ditë më parë dhe ne jemi dakord me atë qëndrim", u shpreh McIlwham. I pari që shfaqi qëndrimin e tij për zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit ishte komisioneri europian Olli Rehn. Ai konstatoi se "zgjedhjet e fundit parlamentare ishin më të mira se ato të viteve të kaluara, megjithëse pati sërish parregullsi". Gjithsesi ai u tregua i kujdesshëm në deklaratën e tij, duke nënvizuar se pret raportin përfundimtar të vëzhguesve ndërkombëtarë dhe "le të shohim se çdo të ndodhë", tha Rehn lidhur me këtë raport.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›