E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nuk dua të jem thjesht një aktore e bukur

Shumë rrallë ndodh që një film i vetëm të lërë gjurmë të pashlyeshme në jetën e dy heronjve protagonistë. Në prill të vitit 1986, Kim Basinger dhe Mickey Rourke arritën famën e dy seks-simbolëve planetarë si protagonistët e filmit "9 javë e gjysmë". Kim Basinger nuk është si gjithë të tjerat. Pavarësisht një filmave të shumtë që ka luajtur, ku filmi më i mirë që i dha edhe "Oskarin" është "L.A Confidential", mbetet një yll. Një bukuroshe paksa me kohën e vjetër, me flokë të gjatë biondë, një fytyrë që sfidon kohën dhe një elegancë të paimagjinueshme. Profesioni i saj i lodhshëm dhe vështirësitë e të qenit një nënë që e rrit e vetme fëmijën, nuk ia kanë zbehur aspak sharmin dhe bukurinë. Jep rrallë intervista, por kur përgjigjet thotë gjithmonë gjërat e duhura. "The Death and Life of Charlie St." është filmi i saj i ri, ku aktorja duket si një vajzë që sapo i ka mbushur të 30-at dhe jo një nënë 56-vjeçare. Rivale historike e Sharon Stone, por më provinciale në kuptimin e mirë të fjalës, në krahasim me "poshtërsitë" e "Basic Instinct". Është një 56-vjeçare që e sheh jetën nga një tjetër këndvështrim, duke e zhvendosur më përpara, aty ku panorama bëhet më e qartë. Ish-modele e "Eilin Ford", që fitonte mijëra dollarë në ditë, por me ëndrrën për t‘u bërë aktore. Dhe kur mbërriti dita, e ajo u ndodh në Hollivud, nuk u shpërblye kurrë mjaftueshëm nga fati. Ja disa nga titujt e filmave më të famshëm, ku ka qenë protagoniste: "Kurrë mos thuaj kurrë", një debutim i madh në skenën hollivudiane, "I marrosur për dashuri" i regjisorit Robert Altman, "Batman", "Terapi përfundimtare" dhe atë të paharrueshmin "9 javë e gjysmë", një film striptizë nën muzikën e Xho Koker, që është ngulitur thellë në fantazitë intime të shumë çifteve. Kim e di mirë, që ajo skenë nuk ka pushuar së përsërituri në kujtimet tona, gjysmëhija, djersa, akulli, duket sikur gjithçka është ende këtu, duke u shembur e duke u djegur. "Jam e lumtur që ky film ka kontribuar në zgjidhjen e shumë konflikteve bashkëshortore". Përgjigjet e saj janë ato të një analisteje, sociologeje, jo ato të një dive luksi me jetën mes bollëkut. Të paktën kështu e përcaktonin dikur. Sipas një aktoreje tjetër të madhe: "Nuk është e lehtë të lirohesh nga imazhi që të mveshin të tjerët, nga stereotipat që të nguliten thellë, të cilat në fund bëhen identiteti yt. Hollivudi nuk ka një parim të zakonshëm të rregullave fikse, tregu funksionon sipas asaj që shitet" dhe ajo e shiste mjaft mirë një produkt nga vitrina.

Çfarë ndryshon pasi njeriu mbush 50 vjeç?

Maturohet, edhe pse shpesh kjo kërkon gjithë jetën për t‘u arritur. Duhet ta lëmë pas atë "copëz" fëmijërie që ndiejmë brenda vetes. Edhe unë jam një njeri i zakonshëm si gjithë të tjerët. Ndonjëherë, në mëngjes, e urrej atë çka shoh në pasqyrë, ditë të tjera ndihem mirë me pamjen time. Ka shumë avantazhe kur mosha kalon: nuk gjykon të tjerët, je më indiferent dhe e vetmja gjë që të intereson është familja. Për më tepër mëson të mos përsërisësh të njëjtat gabime. Preferoj më shumë këtë jetë që bëj tani në këtë moshë se sa atë që bëja kur isha e re. Tani ndihem më e lirë.

Cilat janë sekretet për të qenë e lirë?

Të qeshësh, të vallëzosh, të kultivosh personalitetin tënd dhe të mos mendosh për problemet e botës. I them shpesh vetes: mjaft dëgjove të tjerët Kim.

Edhe karriera juaj si aktore është e veçantë. Ndieni keqardhje për pozicion që kishit në filmin "9 javë e gjysmë"?

Si do të mundja? I detyrohem gjithçka këtij filmi. Më ka çliruar si grua, ashtu si edhe aktore. Kur e pranova atë rol e dija se duhet të mos kisha emocione dhe të isha një femër sensuale. Isha e frikësuar dhe e dija se ky udhëtim ishte i nevojshëm dhe më bëri mirë. Edhe në aspektin e famës. Roli im si një "bond girl" në "Kurrë mos thuaj kurrë" më bëri të njohur për publikun, por me "9 javë e gjysmë" ka qenë e pabesueshme. Shëtita botën dhe u bëra një super star.

E ka parë vajza juaj, Ireland?

Ende jo, por besoj se do të vijë shpejt ajo ditë dhe kjo gjë më shqetëson. Diçka e tillë ndodhi edhe me një foton time paska seksi ndërsa navigonte në internet. Ishte një foto e vjetër ku në krah kisha një polic. Më foli gjatë gjithë ditës për të dhe më thoshte: "Mama, ke flirtuar me një polic".

Le të rikthehemi te karriera. Ka pasur refuzime të famshme, si ai i të qenit protagoniste në "Basic Instinct". Ndonjë pendesë?

Asnjë. Jam e bindur se disa role janë të destinuara për disa aktorë të veçantë. Ishte fati i Sharon Stone të luante në "Basic Instinct" dhe askush nuk mund ta bënte më mirë se ajo. Pastaj sapo kisha përfunduar "9 javë e gjysmë".

Është e vërtetë se ishit gati t‘i thoshit jo filmit "L.A Confidential", filmi i Curtis Hanson me të cilin fituat "Oskarin"?

Po e kam refuzuar katër herë. Sapo kisha lindur vajzën dhe isha shumë e dashuruar me të. Nuk doja të dilja, madje edhe nga dhoma kisha frikë të largohesha. Më dukej koha më pak e përshtatshme për të xhiruar rolin e një prostitute. Ishte agjenti im që më bindi të lexoja skenarin. Ishte një tronditje. Kishte brenda dialogët më të mirë që kisha lexuar prej kohësh. Megjithatë nuk kisha asnjë zgjidhje: Curtis e dinte se cilët aktorë donte dhe nuk kishte asnjë lloj mënyre t‘i thoshin jo. Para se të firmosja kontratën, kostumografia ime ishte gati.

Ju keni një vend të veçantë në karrierën tuaj. Largoheni nga jeta mondane, nuk lëvizni shumë, madje shpeshherë jeni spektatore dhe aktore e "star sistem"...

Nuk kam qenë kurrë mondane më shumë se ç‘duhej. Nëse t‘i përkasësh botës së "star sistem" do të thotë të jesh pjesë e gazetave skandaloze, atëherë ndihem e lumtur që jam larg tyre. E marr seriozisht dhe e konsideroj kinemanë si një familje të madhe. Të sapolindurit tërheqin gjithë vëmendjen, pastaj rriten dhe një cikël i ri fillon. Kam zgjedhur filmat dhe fotot e mia në funksion të asaj që më përshtaten. Kam pasione të tjera veç kinemasë, por mbi të gjitha jam shumë e lidhur pas lirisë sime.

Sa i përket pasioneve, ju adhuroni të shkruani. Çfarë titulli do t‘i vinit romanit të jetës suaj?

Oh Zot! Sa pyetje e vështirë. Ndoshta "It won‘t get better and a baby wont help". Është titulli i një këngë kauntri që kam shkruar kohë më parë. Më pëlqen shumë ky titull dhe pastaj flet për gratë. Nuk ju duket edhe ju kështu?

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›