Shqipëria i prish festën Danimarkës
Shqipëria ndal Danimarkën kryesuese në "Qemal Stafa", duke mbajtur gjallë shpresat e Suedisë e Portugalisë. Kuqezinjtë barazojnë 1-1 në një sfidë, kur mund të meritonim më shumë se vetëm një pikë. Skuadra e Kuzhes luan futboll simpatik dhe kënaq tifozerinë. Ashtu sikurse edhe kishte pohuar edhe një ditë më parë, trajneri ia kishte besuar portën të riut të talentuar Ujkani. Para ishin rreshtuar Dallku, Curri, Cana, Beqiri. Në mesfushë Duro i vendosur pak para mbrojtjes dhe i mbështetur në një pozicion më të avancuar nga Bulku, Skela e Agolli. Në qendër të sulmit u vendos Bogdani, ndërsa Salihi në të djathtë. Minutat e para janë thjesht një përballje taktike me të dyja skuadrat, ku Shqipëria është pak më agresive. Por pas 12 minutash vetëm fati na shpëton nga një gol thuajse i sigurt. Beqiri nuk është ambientuar me pozicionin e ri të tij dhe kjo u jep mundësi miqve të dalin me shpejtësi në krahun e tyre të djathtë, duke befasuar mbrojtjen tonë dhe papritmas Tomason shfaqet i vetëm përballë me Ujkanin, por gjuajtja e tij për fat përfundon jashtë. Shqipëria duket disi më e frikësuar dhe alarmi qëndron i ndezur gjithmonë në krahun e majtë të mbrojtjes, ku miqtë po nuhasin se ka probleme. Ndërkohë që provon të dalë edhe në kundërsulm me Skelën, Salihin e Bogdanin. Gjithsesi, me këtë vendosje Kombëtarja jonë ka më shumë mundësi të dalë përpara, por mungojnë rastet në zonën kundërshtare. Danezët sulmojnë me shumë forca, i japin tonin ndeshjes, por goli vjen për një gabim tonin. Në minutën e 40-të Ujkani nuk merret vesh me mbrojtësit dhe del për të bllokuar Bentner, i cili me shpinë nga porta, godet me kokë një top që përfundon në rrjetë. E thënë ndryshe: një dhuratë, që Shqipëria ua bën jo rrallë kundërshtarëve. Pjesa e parë mbyllet këtu. Pjesa e dytë nis pa Beqirin (të parë në vështirësi në pjesën e parë), në vend të të cilit futet Hyka në të majtë të mesfushës, duke imponuar kthimin e Agollit në krahun e majtë të mbrojtjes. 45 minutat e dyta nisin mirë nga tanët, të cilët imponojnë ritmin e lojës dhe goli nuk vonon. Në minutën e 51-të, Dallku kroson në zonë, ku Salihi fluturon në ajër për të ndalur me këmbë topin dhe në rënie i jep asist Bogdanit, i cili nga gjysmë metri larg vijës fatale, mes duarve të portierit Sorensen, arrin të shtyjë sferën drejt rrjetës. Ftesa e sulmuesit të Kievos është me trajnerin Kuzhe. Danimarka vuan dhe ndeshja përfiton emocione të tjera. Kuqezinjtë fitojnë më shumë besim dhe Dallku me pak fat mund të kishte shënuar golin e dytë. Shqipëria kontrollon lojën dhe krijon panik në zonën e miqve, duke fituar disa dyluftime në ajër dhe duke krijuar disa raste. Ndërsa kësaj Danimarke, jo vetëm që i mungon petku i kryesuesit, por miqtë duken të pamotivuar dhe janë shumë larg grintës së lojës karakteristike daneze. Bogdani i dëmtuar kërkon ndërrimin dhe në fushë hyn Lika, ndërkohë që Cana ka probleme me dorën pas një rënieje të ashpër. Pak minuta edhe për Vilën që hyn në vend të Skelës dhe bëhet protagonist. Shqipëria dominon totalisht Danimarkën dhe me shumë meritë i rrëmben një barazim të rëndësishëm.