Berisha: Qeveria, jashtëzakonisht e interesuar për Bankën Botërore
Zhvillohet mbledhja e Komitetit të
Planifikimit të Strategjive, me praninë e Zv/Presidentit të BB-së Philippe Le
Houérou
Tiranë, 14 Janar NOA - Nën drejtimin e
Kryeministrit Sali Berisha u zhvillua sot mbledhja e Komitetit të Planifikimit
të Strategjive, në të cilën merrte pjesë edhe Zëvendëspresidenti i Bankës
Botërore, zoti Philippe Le Houérou, i cili ndodhet për një vizitë në
Tiranë.
Duke marrë fjalën, Berisha e cilësoi këtë
mbledhje historike në partneritetin dhe bashkëpunimin e shkëlqyer 20 vjeçar që
Shqipëria ka pasur dhe ka me BB.
Kryeministri theksoi se vizita e Zv/presidentit
të Bankës Botërore, z.Philippe Le Houérou është një ngjarje e madhe në
marrëdhëniet midis Shqipërisë dhe BB-së.
Në sajë ndihmës financiare në qindra projekte
të zbatuara, Banka Botërore bëri të mundur që Shqipëria të transformohej nga
një prej vendeve më të varfra, me sistemin totalitar më të egër, në vendin me
ekonomi të zhvilluar tregu dhe me institucione të një demokracie funksionuese,
- tha Berisha.
Duke shprehur vlerësimin më të madh për
projektet e rëndësishme që Banka Botërore udhëheq në Shqipëri, Kryeministri u
ndal në veçanti në të gjitha fushat, ku Banka Botërore ka kontribuar me ndihmën
e saj.
Përsa i përket projekteve në fushën e
transportit, Kryeministri vuri në dukje se Banka Botërore ka dhënë një
kontribut të madh me financimet e saj, në mobilizimin e fondeve nga donatorët
në disa projekte madhore që po ndryshojnë vendin, ndër të cilat segmenti
Milot-Rrëshen të autostradës Durrës-Prishtinë, si dhe projekti i rrugëve
dytësore, projekt që po transformon, me zbatimin e tij të suksesshëm, gjithnjë
e më shumë jetën e zonave rurale të Shqipërisë.
Duke u ndalur në fushën e bujqësisë,
Kryeministri bëri me dije se projekti i qeverisë shqiptare për mbjelljen e 20
milion rrënjëve ullinj në 4 vjet zgjoi interesin e Zv/ presidentit të
Bankës Botërore, për të shqyrtuar mundësinë e kontributit të saj, në aspekte të
veçanta të këtij projekti.
Si një çështje shumë të rëndësishme,
Kryeministri veçoi reformën në shëndetësi. Në këtë kuadër, ai bëri të ditur se
Zv/presidenti i BB-së garantoi se ndihma në fushën e shëndetësisë do të jetë e
pakursyer dhe se e konsideron reformën, si kusht të të gjitha kushteve për
zhvillimin e mëtejshëm të një sistemi shëndetësor, në përputhje me nevojat dhe
kërkesat e qytetarëve shqiptarë.
Duke cilësuar arsimin si përparësinë më
madhore të qeverisë shqiptare, Kryeministri vlerësoi se ndihma e Bankës
Botërore në këtë drejtim është shumë e dobishme.
e.r/NOA