E Diel, 1 Nëntor 2026

Zv/Presidenti i Bankës Botërore: Shqipëria është histori suksesi

Tiranë, 14 Janar NOA - Zëvendëspresidenti i Bankës
Botërore Philippe Le Houérou i cili ndodhet për një vizitë zyrtare në Tiranë, u
shpreh sot se për këtë institucion financiar, më i rëndësishmi në glob,
Shqipëria është histori suksesi, me mbështetjen e Agjencisë Ndërkombëtare të
Zhvillimit.

Këto arritje të rëndësishme, theksoi ai, janë
produkt i reformave të vazhdueshme strukturore dhe ngritjes së institucioneve
të tregut në Shqipëri, fryt i një menaxhimi të mirë makroekonomik, një sektori
privat sipërmarrës, një medie vibrante, një shoqërie civile në rritje dhe e një
sistemi politik pluralist.

Zv/presidenti i BB-së u shpreh se tani që
Shqipëria e ka fituar statusin e një vendi me një nivel mesatar të ardhurash,
Banka Botërore tashmë ka kënaqësinë ta kalojë Shqipërinë në grupin e vendeve që
përfitojnë financime nga Banka Ndërkombëtare për Rindërtim e Zhvillim, duke
ndihmuar kështu aksesin tashmë në rritje të Shqipërisë në tregjet ndërkombëtare
të kapitaleve.

Përmes strategjisë sonë të re të
partneritetit për Shqipërinë, ambicia jonë është të vazhdojmë të jemi një
partner i besueshëm dhe efektiv i popullit shqiptar. Jemi të vendosur për të
mbështetur përpjekjet tuaja për të ndërtuar një Shqipëri gjithëpërfshirëse nga
pikëpamja sociale, të menaxhuar mirë financiarisht, me një mjedis të
qëndrueshëm e që do të bëhet një anëtare me të drejta të plota në BE, - nënvizoi
Zv/presidenti i BB-së.

Ai lajmëroi më tej se po iniciojmë përgatitjen
e strategjisë së re të partneritetit me Shqipërinë për vitet 2010-2013 dhe
presim të realizojmë një partneritet të fuqishëm dhe të frytshëm për vitet që
vijnë, ndërsa Shqipëria përparon në rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimit
Europian.

Ne kemi mbështetur shumë vende në rajon,
ndërsa ato përshkonin rrugë të ngjashme dhe besojmë në këtë kontekst, se
Shqipërisë mund ti ofrojmë mundësi përfitimi nga këto përvoja, në veçanti, në
ruajtjen e progresit të bërë deri tani dhe për përballimin e sfidave të reja,
- tha Le Houérou.

Përvoja historike e fqinjëve tuaj, - vijoi ai,
- ka treguar se sa i brishtë mund të jetë zhvillimi, nëse ai nuk është
gjithëpërfshirës nga pikëpamja sociale, etnike dhe politike. Në këtë
këndvështrim, Le Houérou tha se Shqipëria dallohet si një vend që është
menaxhuar jashtëzakonisht mirë në këtë drejtim, duke kontribuar kështu edhe në
stabilitetin rajonal.

Më pas, Le Houérou ka folur mbi krizën aktuale
financiare dhe ekonomike që tha se na ka treguar se sa i brishtë mund të jetë
progresi, pa pasur mbështetjen e një supervizioni të mirë bankar dhe një
politike të shëndoshë fiskale.

Sigurisht që aftësia e Shqipërisë në
menaxhimin e krizës deri tani, është dëshmi e mësimeve që ajo ka nxjerrë vet
nga e kaluara e saj, - vlerësoi Le Houérou.

Megjithatë, në kushtet kur ndikimi i krizës
vazhdon të rritet, - theksoi z. Le Houérou, - ne do tju inkurajonim që të
mbaheni fort në traditën tuaj të një politike fiskale të shëndoshë, të duruar
dhe të kujdesshme, që e ka ndihmuar këtë ekonomi në të kaluarën, që mbetet
fleksibël dhe që rritet fuqishëm prej 19 vjetësh.

e.r/NOA

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›