E Shtunë, 31 Tetor 2026

Presidenti Topi takohet me Zv/presidentin Rajonal të Bankës Botërore për Evropën

Tiranë, 14 janar
NOA - Presidenti i Republikës, Bamir Topi priti sot në Presidencë
Zëvendëspresidentin Rajonal të Bankës Botërore për Evropën dhe Azinë Qendrore,
Filip Lë Uern, i cili po zhvillon një vizitë zyrtare në vendin tonë.

Në këtë takim ai
shoqërohej edhe nga përfaqësuesja e Bankës Botërore në Shqipëri, zonja Kamil
Naomah.
Kryetari i Shtetit gjatë bisedës vlerësoi kontributin dhe mbështetjen e
vazhdueshme që Banka Botërore ka dhënë për Shqipërinë gjatë gjithë periudhës së
tranzicionit për një zhvillim të qëndrueshëm financiar dhe ekonomik, nëpërmjet
monitorimit, ekspertizës, asistencës teknike, dhënies së këshillave mbi
politikat e ndjekura dhe reformat e ndërmarra nga shteti shqiptar.

Në vijim të
bisedës, Presidenti Topi bëri një panoramë të zhvillimeve më aktuale në vend,
të përpjekjeve dhe arritjeve në kuadër të integrimit euroatlantik të vendit,
duke u ndalur në ecurinë e reformave të gjithanshme, sidomos të asaj në
sistemin e drejtësisë.

Pasi vuri në
dukje sfidat e vështira, me të cilat përballet sistemi gjyqësor në vendin tonë,
Presidenti Topi nënvizoi faktin se mirëfunksionimi i sistemit të drejtësisë
është një gur themeltar për zhvillimin e shoqërisë shqiptare dhe është
thelbësor në realizimin e vlerave më të mira të demokracisë.

Presidenti u
shpreh se rritja e cilësisë së veprimtarisë së sistemit të drejtësisë, ruajtja
e pastërtisë së interesave të dhënies së saj, si dhe ngjallja dhe forcimi i
besueshmërisë së publikut tek sistemi i drejtësisë, janë disa nga synimet
kryesore të kësaj reforme.
Nga ana e tij, Zëvendëspresidenti rajonal i Bankës Botërore për Evropën dhe
Azinë Qendrore, zotin Filip Lë Uern shprehu konsideratën e tij për mbështetjen
e Kryetarit të Shtetit Shqiptar, si dhe vlerësoi bashkëpunimin e frytshëm mes
Bankës Botërore dhe autoriteteve shqiptare në përmbushjen e qëllimeve dhe
objektivave të tyre të përbashkëta. Z. Filip Lë Uern vuri në dukje vullnetin
dhe angazhimin e mëtejshëm për vijimin dhe forcimin e këtij bashkëpunimi.
k.k.NOA

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›