E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha: Qeveria luftë kundër korrupsionit

09/06/2010 Qendrës Kombëtare të Licencimit

Kryeministri Sali Berisha ka deklaruar dje, gjatë ceremonisë së 1-vjetorit të krijimit të Qendrës Kombëtare të Licencimit, se Qeveria që drejton është e vendosur të marrë çdo masë për të çrrënjosur, për të luftuar korrupsionin. Shefi i ekzekutivit u ndal në mënyrë të veçantë në përmirësimin e trajtimit të bizneseve, duke marrë si shembull uljen e madhe të nivelit të burokracisë. “Të pakta ishin vendet, të cilat e kishin sukses këtë institucion. Agjencia na mbështeti me një studim të këtij modeli. Ndërkohë Task Forca për derregullimin e tregut, në dhjetëra e dhjetëra mbledhje, takime, analiza ia doli që të reduktojë në 62 licencat dhe lejet, nga rreth 200 më parë, duke i shndërruar ato në vetëdeklarime, dhe u përgatit i gjithë kuadri ligjor për 62 lejet dhe licencat që mbetën për t’u grupuar në këtë Qendër”, theksoi Berisha. Kryeministri u shpreh se lufta kundër korrupsionit ka qenë dhe mbetet qëllimi më madhor i ngritjes së QKL-së. “Qeveria ime është e vendosur të marrë çdo masë për të çrrënjosur, për të luftuar këtë kancer, i cili kërcënon më shumë se çdo gjë tjetër klimën e biznesit, por edhe mirëqenien e qytetarëve të vendit”, tha ai. Berisha nënvizoi se korrupsioni është një fenomen që nuk zhduket dhe kjo e bën edhe më imperative luftën permanente kundër tij. Ai evidentoi si një hap shumë të rëndësishëm edhe hapjen e sportelit të vetëm për dhënien e licencave për energjinë. Sipas tij, QKL-ja përbën mesazhin më të mirë që u jepet investitorëve të shumtë.

Ambasadori gjerman

Përfaqësuesi i Gjermanisë në Tiranë, ambasadori Bernd Bochard, ka deklaruar gjatë ceremonisë në QKL se korrupsioni në Shqipëri vazhdon të mbetet një problem shqetësues. Ai i kërkoi Qeverisë të bëjë më shumë kujdes në këtë drejtim, pasi lufta ndaj korrupsionit mbetet një nga kushtet për liberalizimin e vizave. “Krijimi i qendrës ishte një sinjal politik i rëndësishëm për Shqipërinë dhe Qeverinë, i cili u mirëinterpretua nga partnerët perëndimorë. Kjo tregoi se Qeveria është e angazhuar për të luftuar zvarritjet dhe burokracitë”, tha Bochard.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›