E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: Qeveria, mbledhje të hapura

 

Adi shkembi

Në të njëjtën mënyrë si katër vjet më parë, pas betimit në Presidencë, Kryeministri Berisha ka thirrur mbledhjen e parë të Qeverisë.E veçanta e kësaj mbledhje ishte se në tryezën e ministrave ishin instaluar kompjuterë laptop, të cilët do të bëjnë më të lehtë mënyrën e miratimit të ligjeve gjatë diskutimeve të tyre. Në këtë mbledhje të parë, kreu i ekzekutivit është shprehur i gatshëm të ndryshojë Kushtetutën që ato të zhvillohen të hapura. Madje këtë ia sugjeroi opozitës që ta ndërmerrte si iniciativë. “Gradualisht, duke gjetur një interpretim të Kushtetutës, do të doja që mbledhjet e këtij kabineti të jenë transparente për publikun, i cili të adresojë, gjatë mbledhjes, pyetje dhe çështje për ato që diskutohen këtu. Ky është një nga qëllimet e E-kabinetit”, tha Berisha. Sipas tij “për momentin kemi një pengesë kushtetuese, e cila thotë se mbledhjet janë të mbyllura, por, nëse do të isha unë në opozitë, votën e parë që do t’i jepja Qeverisë për të ndryshuar Kushtetutën do të ishte për të imponuar zhvillimin e mbledhjes hapur. Shpresoj që opozita kur të kthehet në Parlament ta konsiderojë seriozisht këtë. Ajo klauzolë është e panevojshme”. Në kuadër të transparencës me publikun kreu i ekzekutivit u kërkoi ministrave që të publikojnë në faqen e internetit të ministrive numrin e tyre të telefonit. Sipas tij, ndonëse komunikimi me të gjithë qytetarët do të jetë i vështirë, ai mund të bëhet me anë të mesazheve. Në këtë mbledhje Berisha konfirmoi mbajtjen e postit të zëdhënëses së qeverisë nga ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu. “Marrëdhëniet me mediat do t’i kemi të shkëlqyera, ashtu siç i kemi pasur deri më sot. Mediat kanë përcjellë me shumë korrektësi dhe profesionalizëm veprimtaritë e Këshillit të Ministrave dhe mbledhjeve të tjera. Zonja Bregu do të mbajë lidhjet e qeverisë me mediat kombëtare dhe ndërkombëtare. Gazetarët kur na shohin sot, këtu, të gjithëve thonë se çfarë ka të re ky kabinet, se e vërteta është se të gjithë kanë qenë zyrtarë dhe ministra, por që bazohet në performancën dhe suksesin e gjithsecilit”, theksoi Berisha. Kreu i ekzekutivit ka përsëritur ftesën prej kreun e PS-së, Edi Rama për t’i dhënë fund bojkotit të Parlamentit. Ai u shpreh i gatshëm të pranojë çdo kërkesë të opozitës që janë në interes me vendin, por këtu bëjnë përjashtim sipas kreut të ekzekutivit kërkesat që bien ndesh me ligjet. “Në kuadrin e shtetit ligjor, ligjeve të vendit, ne, absolutisht, jemi të gatshëm të pranojmë çdo kërkesë të opozitës për çdo problem që ajo ta gjykojë se është në interesin e saj dhe të vendit, por kërkesa që bien ndesh me ligjet, që bien ndesh me parimet themelore të ndarjes së pushteteve, nuk duhet të mendohen as nga pozita, as edhe nga opozita”, tha Berisha.

Mediu
Vendosja e laptopëve në sallën ku zhvillohen mbledhjet e qeverisë bëri që numri i punonjësve, të cilët duhet të ishin të pranishëm të ishte më i madh se normalisht. Kjo duket se ka ndikuar zhvendosjen e karrigeve në vendet e ministrave në tavolinën përballë asaj të kryeministrit. Si pasojë, ministri i ri i Mjedisit, kryerepublikani Fatmir Mediu e ka parë veten pa karrige dhe ka pritur disa minuta në një situatë jo dhe aq të rehatshme derisa sa punonjësit t’ia sillnin atë.

Laptotët
Ashtu siç kishte premtuar në muajin korrik kryeministri Berisha, në mbledhjen e djeshme të qeverisë ministrat kishin përpara nga një laptop nga ku do të mbrojnë vendimet që kanë propozuar. Vendosja e ligjeve në këtë variant e bën më të lehtë ndryshimin e tyre, pa pasur nevojë që nëse ka një propozim gjatë mbledhjes së qeverisë, projekti të rikthehet sërish në ministri për t’u punuar. Vizita e fundit në Estoni dhe Letoni ka bërë që Berisha të lançojë projektin më të fundit E-kabinet.

Qeveria
Në faqen zyrtare të qeverisë ka nisur nga mesdita e djeshme ndryshimi i emrave të ministrave në linkun që të çon në përbërjen e kabinetit, por edhe në programin e qeverisë. Kështu për ministrat që janë konfirmuar në postet e tyre duket se ka qenë më e lehtë pasi nuk ka pasur nevojë për ndryshime, ndërkohë që për ministrat e rinj është duke u plotësuar CV-ja dhe fotografia zyrtare. Ajo që tashmë ka përfunduar është programi i ri i qeverisë, i cili gjendet tashmë në faqen e internetit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›