Berisha e ministrat betohen te Presidenti
Pa kaluar ende 12 orë nga votimi në Parlament, ministrat e rinj të kabinetit “Berisha 2” i janë drejtuar selisë së Presidencës për të bërë betimin dhe për t’i hapur rrugë mbledhjes së parë të Këshillit të Ministrave. Sipas rregullave të përcaktuara deri në detajin më të vogël nga Protokolli i Shtetit, i fundit që ka hyrë në zyrën ku do të bëhej betimi ka qenë Presidenti Topi. Më pas është ekzekutuar himni kombëtar dhe Sekretari i Përgjithshëm i Presidencës ka lexuar formulën e betimit. I pari që ka firmosur dhe është betuar mbi kushtetutë ka qenë Kryeministri Sali Berisha, i cili më pas është drejtuar nga kreu i shtetit, me të cilin ka shtrënguar duart. Pasi tij kanë ndjekur të njëjtin ritual edhe zv/kryeministri dhe ministri i Jashtëm, Ilir Meta, ministri i Shtetit, Genc Pollo, ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu, ndërsa i fundit ka qenë ministri i Mjedisit, Fatmir Mediu. Për Spiro Kserën, Petrit Vasilin dhe Ferdinand Xhaferrin ceremonia e djeshme ka qenë e para në llojin e saj që ata kanë ndjekur, ndërkohë që s’mund të thuhet e njëjta gjë për Lulzim Bashën, Arben Imamin, Sokol Olldashin, Bujar Nishanin, Genc Pollon apo edhe Fatmir Mediun. Në përfundim të marrjes së dekreteve nga secili prej ministrave, kreu i shtetit duket se nuk i është përmbajtur deri në fund protokollit, i cili parashikonte fjalimin e rastit. Në të kundërt Topi zgjodhi trokitjen e gotave ku të parit i uroi për detyrën kryeministrit Berisha. Ceremonia e djeshme duket se ka shërbyer edhe për thyerjen e akujve mes shumicës dhe disa prej institucioneve të pavarura. Kështu kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli është rikthyer në Presidencë pas një kohe të gjatë, ndërsa kryeprokurorja Ina Rama, pasi është akuzuar disa herë nga Kryeministri Berisha se është përdorur politikisht në rastin e dosjes së rrugës “Durrës-Kukës” dhe dosjes “Gërdeci”, ka qenë ndër të parat që ka trokitur gotën me kreun e ekzekutivit, por edhe me ministrat Basha e Mediu. Në përfundim të ceremonisë, qeveria e re ka bërë edhe fotografinë e rastit, përpara se të zhvillonte mbledhjen e saj të parë.