Kapja e 40 kg heroinë, pyetet gjermani në gjyq
TIRANE – Gjykata për Krimet e Rënda ekzekutoi dje letërporosinë e ardhur nga Gjykata e Ulnit në Gjermani, në lidhje me pesë të arrestuarit e operacionit “Kështjella”, tre prej të cilëve shtetas gjermanë. Ditën e djeshme togat e zeza të Krimeve të Rënda, lejuan ekzekutimin e lëtërporosisë së dërguar nga autoritetet e drejtësisë gjermane, për çështjen në ngarkim të personave të akuzuar për përfshirje në trafikimin e 40 kilogramëve lëndë narkotike e llojit heroinë. Përderisa procedimi penal për këtë çështje ka nisur nga organi i hetimit në shtetin gjerman, Gjykatës për Krimet e Rënda i ishte dërguar një letërporosi me objekt “marrjen e akteve të procedimit penal dhe pyetjen e të bashkëpandehurve”. Në seancën e djeshme nuk ishte i pranishëm i pandehuri, Zaim Tafa, i cili hetohet në gjendje të lirë, ndërsa ishin të pandehurit e tjerë të arrestuar Albert Pëllumbaj, Daniel Englert, si edhe Franc e Regina Kiascek. Seanca e djeshme u zhvillua me dyer të mbyllura, për shkak se deklarimet e dhëna dje nga të pandehurit ishin për llogari të hetimeve paraprake. Burime brenda seancës bënë të ditur se i pandehuri Albert Pëllumbaj, nuk pranoi të fliste pa praninë e avokatit të tij, i cili mungonte dje, ndërsa tre shtetasit gjermanë i janë përgjigjur me radhë 18 pyetjeve të letërporosisë. Sipas burimeve, ata nuk kanë pranuar të kishin lidhje me sasinë e lëndës narkotike, si edhe me trafikimin e saj. Operacioni i koduar “Kështjella” u finalizua në maj të këtij viti. Policia ndaloi në pikëkalimin kufitar të Kakavijës automjetin e drejtuar nga bashkëshortët Kiscek ku u gjet dhe droga. Ndërsa në pranga përfunduan edhe personat e tjerë që prokuroria i akuzon si bashkëpunëtorë në trafik. ar.ba