E Diel, 1 Nëntor 2026

“Biznesmeni u vra 48 orë pas rrëmbimit në Vlorë”

 

Raporti përfundimtar i ekspertëve mjeko-ligjorë ka përcaktuar shkaqet e vdekjes së biznesmenit nga Vlora Genci Habazaj. Ekspertët dolën një me raportin përfundimtar dy javë pasi filluan ekzaminimet e biznesmenit, që u gjet i vrarë dje i djegur në Fier pas zhdukjes në Vlorë. Sipas autopsisë, Habazaj ka marrë dy plagë në trup, një kokë dhe një gjoks me armë zjarri. Vdekja e tij ka ardhur nga plumbi i parë që ka marrë në kokë. Autopsia saktëson se biznesmeni është qëlluar nga një distancë e afërt. Ekspertët e Mjekësisë Ligjore, kishin marrë kampionë nga trupi i Habazajt dhe në bazë të tyre kanë përcaktuar dhe shkaqet e vërteta dhe të plota të ngjarjes së rëndë. Burimet pohojnë se janë kryer edhe analizat toksikologjike, të cilat kanë përjashtuar mundësinë e ndonjë helmimi dhe rezultatet përfundimtare tashmë e kanë treguar këtë fakt. Nga verifikimet e parë të bëra nga mjekët e mjekësisë ligjore mësohet se në trupin e biznesmenit ka pasur edhe shenja dhune, gjë që tregon se ai është keqtrajtuar, është rrahur me mjete të forta para se të vritej. Në raportin përfundimtar mjeko-ligjor është përcaktuar edhe koha e vrasjes së tij dhe sipas ekspertëve Habazaj është vrarë 48 orë para se të gjendej në fshatin e Fierit. Djegien e kufomës ekspertët e kanë shpjeguar duke thënë se pas vrasjes autorët kanë dashur të humbin gjurmët që mund të kishin lënë, para dhe pas momentit që e kanë qëlluar për vdekje. Burime nga policia bënë të ditur se hetimet për vrasjen e tij po vazhdojnë në disa pista. Kështu veç pistave të ngritura lidhur me implikimin e viktimës në ndonjë trafik drogë, apo çështje armiqësish të vjetra, nuk bënë përjashtim as vrasja me pagesë për konflikte biznesi apo personale. Të gjitha këto hipoteza të hedhura në dosjen e hapur të vrasjes së biznesmenit nga Vlora do të verifikohen nga oficerë të Policisë Gjyqësore për të arritur në zbardhjen e kësaj vrasjeje. Genci Habazaj, 39 vjeç rezultonte i zhdukur që prej datës 28 gusht të këtij viti dhe u gjet i vdekur në rrugën që lidh Vlorën me Fierin një ditë pasi familjarët e kishin denoncuar si të zhdukur. Policia thotë se kontakti i fundit që Genc Habazaj ka pasur me familjarët ka qenë më datë 28 gusht, rreth orës 20:00.                                       e.d

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›